23 dhjetor 2010

Demiri impresionon në debutim

Shkup, 23 dhjetor - Mesfushori shqiptar Muhamed Demiri ka debutuar me humbje në përfaqësuesen e Maqedonisë në futboll. Maqedonia të mërkurën në miqësore u mposht 1:0 nga Kina. Ndeshja u luajt në Guangzhou të Kinës. Kinezët golin e fitores e shënuan në minutën e 94-t. Me gjithë humbjen, debutimi i Demirit është vlerësuar i suksesshëm. Demiri 25-vjeçar luan për Thunin në Superligën e Zvicrës. "Jam shumë i kënaqur me debutuesin Demiri dhe me disa lojtarë të tjerë që treguan cilësi dhe dëshirë për tu dëshmuar kundër Kinës", ka thënë përzgjedhësi i Maqedonisë, Mirsad Jonuz. Demiri dhe dy futbollistët tjerë shqiptarë, Armend Alimi e Bajram Fetai ishin startues te Maqedonia. Alimi luan për Istrën në Kroaci, ndërsa Fetai deri më tani ishte pjesë e Nordsjaellandit danez. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe sulmuesi i Shkëndijës së Tetovës, Ferhan Hasani. "Luajtëm të gjithë futbollistët shqiptarë. Të gjithë u paraqitëm shumë mirë", ka thënë për gazetën sulmuesi Bajram Fetai.