22 dhjetor 2010

Cottbusi sheh shpresën te Valdet Rama


Prishtinë, 22 dhjetor - Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Valdet Rama, kërkohet nga skuadra gjermane Energie Cottbus dhe trajneri i kësaj skuadre, Claus-Dieter Wollitz, insiston të transferojë atë gjatë këtij dimri. Rama është pjesë e skuadrës së Bundesligës, Hannover dhe interesimin e Cottbusit e ka konfirmuar edhe vetë 23-vjeçari, të martën për gazetën.

Ai këtë edicion është aktivizuar me ekipin e dytë të Hannoverit dhe në dhjetë paraqitje ka shënuar një gol.

"E di se Cottbusi po interesohet për mua, por njëherë më duhet të bisedoj me ekipin e Hannoverit. Normal se jam i interesuar të luaj për këtë skuadër pasi është njëra ndër favoritet për t'u rikthyer në Bundesligë", tha Rama. "Nuk është vetëm Cottbusi, pasi për mua ka të interesuar edhe skuadra të tjera, përfshirë këtu edhe disa në Zvicër. Deri në fund të këtij muaji do të dihet e ardhmja ime".

Skuadra e Cottbusit aktualisht zë vendin e tretë në Bundesliga 2 me 31 pikë dhe ka sulmin më efikas me 35 gola të shënuara në 17 ndeshje të luajtura. Trajneri Wollitz ka thënë se Rama do të ishte përforcim adekuat.

"Do të sjellim gjithsesi një sulmues të fortë në dimër. Rama është i shpejtë, i ri dhe do të na kryente një punë të madhe në pranverë", ka thënë Wollitz për mediumet gjermane. "Kemi nevojë për një sulmues që do t'i zëvendësonte të tjerët kur lodhen".

Rama ka kontratë me Hannoverin deri në qershorin e vitit 2012.

Edicioni i shkuar ishte shumë më i mirë për të se ky që po kalon.

Stinorin e kaluar luajti 15 ndeshje në Bundeligë.

Te Hannoveri qe transferuar nga skuadra e Ingolstadit në verën e vitit 2009 si futbollist i lirë. Rama në Bundesliga 2 në edicionin 2008/09 pati shënuar dy gola në 32 paraqitje me Ingolstadtin.