Kapiteni verdhekuq përgënjeshtron mosmarrëveshjet me gruan e tij Ilari dhe joshjet ndaj femrave të tjeraDyshja e artë rrëfehet pa doreza. “Rreth meje dhe Ilarit, ka shumë zili nga ana e disa njerëzve”. Françesko Toti dhe Ilari Blazi tregojnë në një intervistë në një revistë prestigjioze italiane gjithçka rreth tyre, dashurisë, xhelozisë dhe pa dyshim futbollit. Për ta është gjithnjë e natyrshme të jesh gjithnjë në qendër të opinionit publik dhe shtypit rozë, por kapitenit të Romës nuk i kanë pëlqyer disa insinuata që flasin për një krizë të mundshme e nisur pas një vështrimi dinak dhe djallëzor që ai i paska bërë këtë verë Alesandra Pierelit, ndërsa gjëndej me pushime në Sabaudia me familjen.
“Ato fotografi, - pohon Toti, -kërkojnë të tregojnë që unë paskam pasur një vështrim djallëzor ndaj Alesandra Pierelit. Por janë pamje instrumentale për një tezë: Toti është një njeri i pashërueshëm, i mërzitshëm, ndërsa Ilari një grua që duhet ta durojë. Sa keq që nuk kanë shkruar që Piereli është e fejuara e një futbollisti, i cili është një nga miqtë e mi më të mirë, Xhiankarlo Pantano.
Më ka trishtuar ndarja e tyre. Alesandrën e njoh prej kohësh dhe nuk do ta shikoja asnjëherë me qëllim të keq, do të ishte një gjest jo i ndershëm.”. Deklarata në fjalë e Totit është një shuplakë kundër shtypit që merret me skandale dhe kronikë rozë. “Nuk kam asgjë kundër atyre që punojnë me këtë punë, - vazhdon numri 10-të i verdhekuqve. - Martesa ime me Ilarin ishte një ngjarje televizive që u kërkua edhe nga vetë ne. Por duhet të ketë gjëra të vërteta, ndryshe është një dhunë ndaj një familjeje.
Nëse ankohesh thonë se nuk je ironik, që nuk di të qëndrosh në lojë, por sa zgjat kjo ndeshje? Mua më duket se ka mbaruar koha shtesë dhe 11-metërshat. Dhe që në fund fituam unë dhe Ilari. Tani mjaft. Rreth nesh ka shumë zili”. Pastaj Toti flet edhe pak për futboll: “A ndihem i ngopur? As që nuk e di se ç’do të thotë kjo fjalë. Nuk ndaloj kurrë. Dhe pastaj në momentin më të bukur? Përpiqem gjithnjë të shkoj sa më larg. Nuk është uri suksesesh, është një zbavitje e mirëfilltë dhe dëshirë për t’u përmirësuar”.
Në të shkuarën e kanë kërkuar klubet më të mëdha të Europës, përfshirë Real Madridin dhe Barcelonën. Ai ka thënë jo, sepse Roma është gjithnjë e më shumë se një skuadër e thjeshtë në zemrën e tij: “Kam bërë një zgjedhje zemre dhe jete në mënyrë të ndërgjegjshme, duke mbajtur të njëjtën fanellë veshur gjatë gjithë jetës sime futbollistike, - shpjegon Toti. - Raste kam pasur shumë për t’u larguar, tani disi më pak, por nuk kam as keqardhje e as zemërime. Jam menduar në të vërtetë edhe për t’u larguar. Pas titullit në 2001-in, kisha probleme me klubin dhe me tifozët dhe pata një moment ku mund të kisha ikur nga Roma.
Por u sqarova me klubin dhe nuk ndodhi asgjë”.