Pas dy humbjeve radhazi kundër Leçes dhe Bolonjas, në shtëpinë e Juventusit është kthyer të flitet shumë për një 'rindërtim' dhe projekte të reja për sezonin e ardhshëm. Ose akoma edhe më parë, në rast se bankina e Del Nerit do të rrezikohej dhe do të vendosej të largohej përpara kohe. Në këtë kohë, drejtuesit e Zonjës së Vjetër nuk janë duke qëndruar krahë hapur dhe po mendojnë menjëherë për vitin që do të vijë. Ideja është gjithmonë e njëjta: të përforcohet skuadra, me një sy tek mundësitë që ekzistojnë dhe duhet të shfrytëzohen në merkato pa shpenzuar shuma të çmendura.
"Mundësi" do të thotë të vlerësohen mirë pozicionet e disa lojtarëve të veçantë, si ata që janë në prag skadimi kontrate, ose në vështirësi në klubin ku ndodhen. Marrota me drejtuesit e tjerë janë në kërkim të lojtarëve që nuk janë të lumtur, sepse do të ishte më e lehtë të sillen në Torino pa u dashur të kryhen çmendurira në terma ekonomikë. Mbërritja e Luka Tonit për shembull, ishte pjesë e kësaj optike dhe në këtë linjë do të vazhdohet të veprohet edhe në merkaton e ardhshme verore.
Një tjetër shembull konkret është Javier Maskerano, që nuk ka arritur të gjejë hapësirën që shpresonte tek Barcelona dhe trajneri Guardiola preferon të aktivizojë Serxhio Buskuets. Ja se përse Juventusi është duke kërkuar të hapë një tratativë me klubin blaugrana për mesfushorin e fortë argjentinas. Zërat mbi një interesim të klubit bardhezi për mesfushorin dhe kapitenin e kombëtares argjentinase kanë gjetur konfirmime dhe në Angli. Sipas "Daily Mail" Juventusi është duke përgatitur një ofertë për lojtarin, të cilin Barcelona sezonin e shkuar e ka marrë nga Liverpuli për 17 milionë stërlina, pothuajse 20 milionë euro.
Sipas asaj që shkruan shtypi anglez, Maskerano do të ishte zëvendësuesi ideal i Momo Sisoko, që është i destinuar të largohet nga Juventusi në fund të sezonit. Karakteristikat teknike të argjentinasit dhe malianit janë të ndryshme, por Juventusi është gati të besojë tek ish-lojtari i Liverpulit, ndërkohë që Sisoko mund të përfundojë tek Real Madridi i Hoze Murinjos. Për momentin, një mbërritje e mundshme në skuadrën bardhezi e Maskeranos hyn në zërat e zakonshme të merkatos, ndërkohë që për largimin e Sisokos ka pak dyshime.
Momo ka mbyllur përpara kohe sezonin me bardhezinjtë për shkak të një dëmtimi, por marrëdhëniet me Del Nerin nuk kanë qenë asnjëherë të mira dhe lojtari në këtë sezon është gjendur shumë herë në bankinë, sepse në vend të tij janë aktivizuar Akuilani, Melo dhe Markizio. /JUVENEWS.TK/