21 mars 2011

Del Piero: Nuk jam ndier kurrë i humbur


Për të ndezur pak atmosferën në përfundim të ndeshjes ka menduar Alesandro Del Piero, i cili është përkufizuar nga trajneri i tij si një lojtar i ‘rigjetur’: “Në të vërtet nuk jam ndier kurrë i humbur. Jam shumë i qetë, ndihem mirë, - ka thënë Aleks.

Duke menduar shumë për të kaluarën rrezikojmë të harrojmë objektivat tanë. Në një grup duhet të dish se cili është roli i secilit dhe të pranosh vendimet e trajnerit. Nuk kam asgjë për të thënë”. Çështja kryesore, pas një paraqitjeje të tillë, nuk mund të ishte gjë tjetër veç rinovimit të kontratës:

“Mendoj se do të vijë sepse presidenti ka qenë i qartë. Nuk shikoj zgjidhje të tjera dhe do të jem shumë i lumtur nëse do ta vesh këtë fanellë në vitet e ardhshme. Nuk dua të shpërqendrohem nga gjëra të tjera. Klubi ka qenë gjithmonë në dispozicion dhe do të ketë kohë për të gjetur një marrëveshje”, ka thënë kapiteni bardhezi.

Xhixhi Del Neri, ndërkohë, ka qenë i kënaqur për faktin që ka marrë një fitore që Juventusit i mungonte prej një muaji. “Breshia ka luajtur mirë, është një skuadër cilësore që ka arritur të barazojë me Napolin dhe Interin. Ne nuk i kemi bllokuar shumë mirë, duke krijuar shumë raste për gol që më pas nuk kemi arritur t’i konkretizojmë”.

I pashmangshëm komenti për Del Pieron: “Kam folur me të, luan sepse është në formë dhe sepse është një simbol. Ndoshta disa kohë më parë nuk do të kishte arritur të bënte një aksion si ai që ka bërë në rastin e golit, tani mund ta bëjë sepse ka rekuperuar formën.

Lojtarët si ai arrijnë të ndryshojnë ndeshjet”, ka thënë Del Neri, që më pas në lidhje me momentin e vështirë të Juves ka shtuar: “Na mungojnë disa pikë që me pak kujdes do t’i kishim fituar.

Më pas kemi pasur shumë dëmtime që kanë vënë në vështirësi skuadrën, por kur kemi qenë në formë kemi treguar se mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari. E ardhmja? Të shohim, unë shpresoj të vazhdoj këtu ku jam”.
/JUVENEWS.TK/