15 mars 2011

Del Neri reziston, po punohet për të ardhmen

Pavarësisht nga kriza e momentit, drejtori Marota premton katër blerje në verë: Duhet klas dhe përvojë

Do të vazhdohet me Del Nerin, nuk do të ketë ndryshime. Sqarimin e jep administratori i deleguar bardhezi, Bepe Marota, pas ndeshjes me Çezenën. Juventusi nuk kërkon të ndryshojë strategji, të paktën asnjë revolucion deri në fund të qershorit, duke i dhënë fund hipotezave për shkarkimin e trajnerit friulan.

Rruga e ndjekur është konfirmuar të enjten edhe nga vizita në Vinovo e Xhon Elkan dhe Andrea Anjelit. Në një komunikatë të lëshuar për uebsajtin zyrtar, klubi ka dashur të theksojë se “futbollistët, trajnerët, punonjësit dhe drejtuesit do të vazhdojnë të punojnë, duke ditur se ky sezon sportiv do të shërbejë si bazë për një punë që do të kompletohet me shpejtësi, për t’i dërguar ngjyrat bardhezi aty ku historia, tradita dhe milionat e tifozëve i kanë vendosur.

Me pasion, kurajo dhe vendosmëri.

Nevojitet eksperiencë - Bazat e hedhura këtë vit janë konsideruar të mira dhe solide. Në fakt, mund të riniset gjithçka me qetësi dhe me kujdes nga lojtarë si Bufon, Sorensen, Kielini, Bonuçi, De Çelje, Krasiç, Markizio, Matri, Kualjarela dhe ndoshta edhe Akuilani (për të cilin mbetet ende problem shuma prej 16 milionësh që Liverpuli kërkon për shitjen përfundimtare).

Më pas, natyrisht, për të bërë hapin kualitativ “duhen të paktën 4 lojtarë të tjerë të mëdhenj,” ka shpjeguar disa herë Marota, “futbollistë mbi të gjitha me eksperiencë, të cilët dinë të zgjidhin në mënyrën më të mirë situatat e vështira”. Goditja e parë është tashmë drejt përfundimit.

Bëhet fjalë për brazilianin Bastos, mbrojtësi i majtë i Lionit, një lojtar tipik krahu që mbron shumë mirë, por edhe i aftë për të vrapuar shumë drejt repartit ofensiv, në kërkim të sulmuesve të ekipit. Me Lionin ekziston mirëkuptim i plotë, ndërsa në ditët e kaluara kanë nisur edhe manovrat me agjentin e Bastosit. Madje, faktikisht janë drejt analizimit të detajeve.

Pirlo dhe Khedira - Kur flitet për eksperiencë, Bepe Marota mendon mbi të gjitha për mesfushën dhe në veçanti për Andrea Pirlon, 31-vjeçari i jashtëzakonshëm, i cili është drejt skadencës së kontratës me Milanin. Mendohet se në javët e ardhshme do të gjehet edhe koha e duhur për të gjetur një marrëveshje sa i përket aspektit financiar.

Përkrah kampionit të botës në 2006-n, Marota kërkon të vendosë Havier Maskeranon, 26-vjeçarin argjentinas, i cili nuk ndihet i kënaqur në Barcelonë. Në këtë rast, sinjali i parë duhet të vijë nga vetë lojtari. Ndërkohë, në Spanjë janë të bindur për nisjen e një dialogu serioz me Realin e Madridit për Sami Khedirën, 24-vjeçarin titullar të kombëtares gjermane.

Borrielo i pakënaqur - Në repartin ofensiv në radhë të parë qëndron gjithmonë Xhilardino. Por vëmendja ka kaluar edhe tek Marko Borrielo, i cili nuk është i kënaqur me situatën e krijuar tek Roma, por sulmuesi i kombëtares mund të rikthehet gjithashtu edhe tek Milani. Në rrugën “Galileo Ferraris” janë duke monitoruar gjithçka me një vëmendje të madhe.
/JUVENEWS.TK/