Ngjarjet e së mërkurës në Shkup, ku huliganët maqedonas kanë hedhur parulla raciste dhe kanë djegur flamurin shqiptar nuk kanë kaluar pa zhurmë. Reagimet e para kanë ardhur nga klubi i basketbollit KB Liria dhe nga Lëvizja Qytetare “Zgjohu!”, ndërsa ngjarja e shëmtuar kundër simboleve tona kombëtare ka indinjuar edhe popullin e Kosovës. Këtë herë reagimet nuk ishin me deklarata, por duke u kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë. Në mënyrë spontane, disa qytetarë të Pejës janë grumbulluar në njërin prej shesheve të qytetit, ku kanë djegur flamurin e Maqedonisë dhe atë të Serbisë. Veprimi i tyre ka ardhur menjëherë pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e basketbollit ndërmjet Rabotniçkit dhe KB Lirisë në Pallatin e Sporteve në Shkup. Veprimi i grupimit “City Park Boys” dhe thirrjet “shqiptar i mirë, shqiptari i vdekur” apo “shqiptarët në dhoma gazi” nuk i kanë bërë përshtypje gjyqtarëve, apo edhe zyrtarëve të pranishëm, të cilët nuk e ndërprenë ndeshjen e basketbollit.
Reagimi i pejanëve ka ardhur si kundërpërgjigje për sulmet e njëpasnjëshme ndaj simbolit më të rëndësishëm të popullit shqiptar. Së fundmi, sporti është shndërruar në një mundësi për politikat antishqiptare nga kombet sllave. Në fillim të muajit tetor huliganët serbë dogjën flamurin shqiptar në Xhenova, në ndeshjen kualifikuese të Euro 2012 ndërmjet Italisë dhe Serbisë, ndërsa menjëherë pas tyre e njëjta skenë është përsëritur nga tifozët rusë të Zenit St. Petersburg, në ndeshjen kundër Hajdukut të Splitit, të vlefshme për Europa League.