24 dhjetor 2010

Ngjarjet nga Sporti Vendorë - Kosova


Juniku në mes Flamurtarit dhe Vëllaznimit

Shumë futbollistë me padurim presin afatin kalimtar dimëror dhe të shikojnë mundësinë e ndërrimit të skuadrave. Edhe sulmuesi i Vëllaznimit, Rilind Juniku, ka gjasa që të braktis skuadrën. Ai është i pakënaqur me kushtet që ka KF Vëllaznimi dhe për këtë është i detyruar që të largohet në ndonjë skuadër tjetër. Juniku tha se më afër do të jetë kalimi te Flamurtari i Prishtinës. “Kushtet në Vëllaznim me shtynë të mendoj për largim, sepse jam i pakënaqur. Realisht jam ndërmjet Vëllaznimit dhe Flamurtarit”, ka thënë Juniku. Në muajin janar do të dihet edhe përfundimisht se a do të qëndrojë ose jo Juniku në Vëllaznim.

Iliriana Haliti - sportistja e vitit në Skenderaj

Në një solemnitet të organizuar nga Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport në Skenderaj, u shpallën sportistët më të mirë të Skenderajt për vitin 2010. Hajdin Ajetit, përgjegjës i sektorit për sport, tha se rezultatet e arritura të sportistëve të komunës së Skenderajt nuk ishin të pakta jo vetëm në nivel të Kosovës. Ajeti tha se Skenderaj mund të mburret me të arriturat sportive, sepse ka një varg klubesh që garojnë në ligat e ndryshme. Ai veçoi KF Drenicën, KV Drenica-Rukolli (meshkujt), KV Skenderaj (femrat), po ashtu edhe KP Shpresa nga Turiqefci, skuadër që ka tri reprezentuese të Kosovës dhe që luajtën me sukses edhe në garat ndërkombëtare. Sipas tij, në vitin 2011 pritet që të rezultatet të jenë edhe më të mira të paktën edhe rregullimi i infrastrukturës sportive, e cila do të jetë bazë për të shënuar suksese më të lakmueshme. Epiteti i sportistes së vitit i takoi Iliriana Halitit, pingpongiste e KPP Shpresa, fituese e shumë turneve vendase e ndërkombëtare. Kjo pingpongiste ka qenë ndër më të mira në radhët e kombëtares së Kosovës,e cila kudo që ka shkuar me lojërat e saja ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mirë. Haliti tha se çmim do të jetë një motiv shtesë për rezultate edhe më të mira në të ardhmen. ”Është kënaqësi të jesh më e mira ndër më të mirat në Komunën e Skenderajt. Ka qenë një konkurrencë mjaft e fortë, por puna që bëra me trajnerin dhe rezultatet në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar, ishin çelës i këtij suksesi. Shpresoj se në vitin 2011 do të përmirësojë rezultatet e sidomos do të shënojë suksese të lakmueshme në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Haliti. Trajneri më i mirë i vitit u shpall Agron Istogut, i cili udhëheq me sukses volejbollistet e Skenderajt. Trajneri Istogu tha se ky çmim e obligon të punoj edhe më shumë në të ardhmen sidomos me kategoritë e reja. Puna e palodhshme e këtij trajnerit ka qenë edhe arma më e fortë që volejbolli femëror kohët e fundit të shënoi ngritje të fuqishme në këtë trevë. Si rezultat i punës së tij të palodhshme Skenderaj ka qenë nënkampion vjeshtor në Superligën e Kosovës. KV Skenderaj është shpallur edhe klubi më i suksesshmi i komunës së Skenderajt.

Drenicës nuk i kanoset rreziku

“Derisa nga skuadra e Drenicës është larguar Dukagjin Gashi, i cili ka shkuar në drejtim të Besës, vendin e tij pritet ta zërë futbollisti i Prishtinës, Taulant Dajaku”, ka bërë të ditur trajneri Tahir Lushtaku.
Fundi i stinorit vjeshtor e gjeti KF Drenicën në pozitën e nëntë në tabelë, me pesë fitore, katër barazime dhe tetë humbje, por trajneri i drenicasve, Tahir Lushtaku thotë të mos mërzitet fare për pozitën aktuale të skuadrës së tij. Edhe pse Drenica është vetëm tri pikë më shumë se vendi i parafundit, pozitë që të shpien në një kategori më të ulët, Lushtaku është i bindur se Drenica gjatë stinorit pranveror do të konsolidohet dhe në fund do të jetë në mesin e renditjes. “Nuk besoi se do të vije puna të luftojmë për ekzistencë, ne në fund do të jemi në mesin e skuadrave të elitës dhe pa problem do të përmbyllim këtë edicion”, u shpreh ai. Timonieri i Drenicës thotë se fillimi i përgatitjeve me vonesë në stinorin vjeshtor ka ndikuar në formën e dobët të skuadrës së tij, por këtë radhë ai thotë të jenë me syçelë për të mos e lënë në ditën e fundit grumbullimin e ekipit. “Tani jemi shumë më të organizuar se vitin e kaluar, dhe besojmë se pos që do t’ia nisim përgatitjeve me kohë, me 15 janar, do të udhëtojmë edhe në ndonjë vend më të përshtatshëm për përgatitje, në Shqipëri”, bëri të ditur Lushtaku. Drenica gjatë stinorit vjeshtor pati shënuar 19 gola përkundër 22 që i pësoi, ndërkaq trajneri, Lushtaku, vazhdimisht kishte potencuar mungesën e sulmuesve në radhët e skuadrës së tij. Ai tani thotë se janë duke bërë përpjekje që të sigurojnë së paku dy futbollistë sulmues, në mënyrë që të mos jenë shterp para portave rivale. “Ne edhe pse kishim mesfushën e mirë, para golit nuk ishim edhe aq efikas, tani jemi në bisedime me disa lojtarë dhe shpresojmë që në fund të sigurojmë shërbimin e dy të tillëve”, tha ai. Pos prurjeve të dy futbollistëve që ia donë goli, te kjo skuadër priten edhe disa ndryshime tjera. Derisa pohon se mesfushori pejan, Dukagjin Gashi tanimë vetëm edhe zyrtarisht pritet të rikthehet te skuadra e Besës, vendin e tij duket se do ta nxë mesfushori prishtinas, Taulant Dajaku për tu rikthyer edhe ai te skuadra amë. “Është e vërtet, Gashi e ka konfirmuar largimin nga radhët tona. Ai këtë vendim e ka marrë për arsye personale pasi si ne ashtu edhe ai ishte i kënaqur me kushtet e këtushme, megjithatë nuk mendoj se do të vërehet shumë mungesa e tij, pasi menjëherë kemi gjetur zëvendësimin, duke kthyer Dajakun në skuadër”, citoi Lushtaku. Ai tha se pret që pos këtij ndryshimi, pjesa tjetër e skuadrës të mbetet e ngjashme. Sipas tij edhe pse mesfushorit Muhamet Dragusha i ka skaduar kontrata me Drenicën, ai do të mbetet në Skenderaj. “Po nuk besoj se do të jetë problem ndalja e Dragushës pasi edhe me të kemi marrëdhënie të mira dhe 99 për qind ai do të jetë lojtar yni, së paku edhe në pranverë në”, përfundoi Lushtaku.


Krusha me gjasë largohet nga Ballkani

Afati kalimtar dimëror mund të sjellë edhe shumë lëvizje të futbollistëve në elitën e futbollit. Tash kanë filluar zërat se disa nga skuadrat janë në negociata me disa futbollistë cilësorë, por që shumica prej tyre mbahen të fshehur. Fitim Krusha, njëri prej mesfushorëve më të shkathët të Ballkanit nga Theranda, duket se është afër t’i mbledhë valixhet dhe të largohet nga ky mjedis. Krusha tha se nuk e përjashton mundësinë që të largohet nga therandasit. Ai theksoi se ka kontratë deri në qershor të vitit 2011, megjithatë, me mundësi që të prishet ajo. Prizrenasi shprehet se ka qenë i kënaqur më mënyrën se si e kanë trajtuar në klub dhe me pagën që e ka marrë, por shikon mundësinë të shkojë në ndonjë kolektiv tjetër. “Gjasat janë të pakta të qëndrojë në Ballkan, jo që nuk jam i kënaqur, por dua të shikojë diku më mirë”, theksoi Krusha. Cilat janë arsyet që mesfushori dëshiron të largohet nga therandasit? “Sa e shoh nuk janë punë bash mirë në Ballkan tashmë dhe për atë duhet të largohem. Tek e fundit ka telashe madje edhe fushë të veten nuk ka pasur gjatë vjeshtës, e cila ishte në renovim. Ende nuk kam vendosur dhe as që jam takuar me drejtuesit e klubit. Kohët e fundit jam orvatur të kontaktojë me ta, por ka qenë e pamundur. Mbetet të shohim në ditët e ardhshme sesi do të veprojë për të ardhmen time”, është shprehur ai. Krusha nuk ka asnjë ofertë, por a ka gjasa të kthehet në klubin që bëri emër dhe u rrit në KF Liria. “Asgjë nuk mund të them. Nuk bëhet fjalë për Lirinë, por të shohim ditëve të ardhshme”, nënvizoi Krusha. Situata e renduar në skuadrat e ndryshme të futbollit të Kosovës paksa e ka dëshpëruar Krushën. Ai thotë se nuk e mban mend kur e ka parë më keq futbollin se sot. “Kushtet janë të mjerueshme në futbollin e Kosovës. Ka rënë cilësia, si dhe pagesa e futbollistëve. Nuk është sikur pas luftës ku ka qenë rivaliteti dhe cilësia më e mirë sigurisht edhe pagesa më e mirë. Situata është ndryshe dhe mezi po mbijeton ky sport. A ka dëshpërim më të madh se kur e sheh futbollin në këtë gjendje të sakatosur dhe vazhdimisht duke u fundosur dhe jo duke dalë nga gjendje kaotike”, theksoi mesfushori prizrenas. Sipas tij, ky sport është lënë në mëshirën e kohës, por me shpresë se do të këndellen se shpejti dhe do të dalë në binarë.

Sot Grupi KOHA shpall "Sportistin e vitit 2010"

Prishtinë, 24 dhjetor - Grupi KOHA vazhdon me traditën e shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit. Ceremonia "Sportisti i vitit 2010" do të mbahet të premten, në hotelin "Victory" në Prishtinë, dhe nis në orën 18:00.
Kjo është hera e 12-të që Grupi KOHA shpërblen sportistët më të mirë që u dalluan gjatë këtij viti.
Dhjetëra të nominuar, sportistë e punëtorë sportivë, janë ndarë në kategori të ndryshme.
Si rëndom, Grupi KOHA do të ndajë çmimin për sportisten më mirë të re të vitit; sportistin më të mirë të ri të vitit; klubin më të suksesshëm të vitit në të dyja konkurrencat; sportist(i\e)n më të mirë të vitit; pastaj për punëtorin më të mirë të vitit, mirënjohjen e veçantë; mirënjohjen post mortem, dhe çmimin për sportistin e vitit sipas votimit në internet.
KOHA traditën e shpërblimit për më të mirët e ka filluar qysh në vitin 1997. Atëbotë pati fituar atleti Zijadin Kryeziu.
Fitues i shpalljes së fundit është xhudistja Majlinda Kelmendi.


Të nominuar për çmimet që do të ndajë juria janë:

Klubi më i suksesshëm i femrave për vitin 2010

a) Bashkimi (basketboll)
b) Prishtina (hendboll)
c) Universiteti Prishtina (volejboll)


Klubi më i suksesshëm i meshkujve për vitin 2010

a) Sigal Prishtina (basketboll)
b) Kastrioti (hendboll)
c) Trepça (futboll)


Sportistja më e mirë e re e vitit 2010

a) Rita Zeqiri (notare)
b) Nora Gjakova (xhudiste)
c) Drenusha Asllanaj (volejbolliste)


Sportisti më i mirë i ri i vitit 2010

a) Gentian Muliqi (basketbollist)
b) Don Berisha (taekwondist)
c) Fatlum Ramadani (futbollist)


Sportisti/sportistja i/e vitit 2010

a) Edmond Azemi (basketbollist)
b) Majlinda Kelmendi (xhudiste)
c) Elvis Osmani (futbollist)
d) Lumnije Hyseni (hendbolliste)
e) Burim Hasani (boksier)