10 gusht 2010

Kasano-Baloteli-Amauri, Prandeli do fantazi

Për miqësoren ndaj Bregut të Fildishtë në Londër, trajneri i ri i Italisë kërkon të ketë më shumë cilësi

Nuk janë vetëm skemat, emrat, modulet. Para së gjithash vijnë fjalët. Çezare Prandeli zgjedh pesë: cilësi, buzëqeshje, bujari, përgjegjësi dhe ndershmëri. Që këtu duhet të niset se çfarë kërkon trajneri i ri nga kombëtarja e tij. Ide të thjeshta, të thëna me emocionin e atij që hyn për herë të parë në sallën e universitetit, por edhe me ndërgjegjen e atij që diplomimin e ka shumë afër.

E gjithë Italia pret “hënën” nga ai. Endërrimtari i pashërueshëm i detyruar nga jeta të qëndrojë me këmbë në tokë, e fillon aventurën me entuziazmin e një fëmije. Me grumbullimet ka bërë të lumtur tifozët: të gjithë donin Kasanon e Balotelin dhe ai i thirri menjëherë: “Zgjedhjet e mia janë të bazuara mbi cilësinë. U përpoqa të sjell në kombëtare lojtarë si Baloteli e Kasano, që kanë teknikë të lartë”.

- A jeni gati “ta shpëtoni” futbollin italian?

- E pyeta veten: çfarë mund të bëj unë për Italinë? Do të përpiqem të jap një përgjigje me punë. Nuk duhet pasur nxitim. Futbolli është një lojë dhe si i tillë duhet përjetuar. Nëse që fëmijë nisim të ndjekim teknikën, atëherë mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme.
- Ndërkohë në kombëtare janë kthyer “këmbët e mira”…: një hap përpara.

- Nëse ke cilësi teknike, në fushë nuk e humb asnjëherë mendjen, sepse je i sigurt nga ajo që mund të bësh.

- A do të jetë Italia që do të ndjekë “modelin” Spanjë?

- Jo, kemi mënyrën tonë të lojës në fushë, duhet të kultivojmë idenë e lojës e të rezultatit. Të përpiqemi të mos dalim nga natyra jonë, nga karakteristikat tona. Jemi Italia.

- Në kombëtaren tuaj, kush gabon, paguan?

- Do të ketë një etikë sjelljeje, që do të nënshkruhet nga lojtarët. Nëse dikush del me karton të kuq në kampionat për një ndërhyrje të rëndë, reagim, protestë apo për një grindje, nuk do të grumbullohet me “axurrët”.

- Si i gjykoni emërimet e Baxhios, Sakit e Riverës?

- Njerëz të duhur që mund të japin shumë ide.

- A e ngushëlluat Lipin?

- I thashë që është dhe do të mbesë një kampion bote.

- Çfarë nuk funksionoi në Botëror?

- Në disa ndeshje, në nivel personaliteti, vuajtëm shumë.

- Si duhet të jenë lojtarët tuaj?

- Buzagaz dhe bujarë. Kur vesh fanellën “axurre”, ke fituar shumë: është momenti të japësh. Skuadra ime duhet të jetë bujare në fushë, duhet të ketë dëshirë të rrezikojë. Mund të luajmë me modulin 4-2-3-1 ose 4-3-3. Moduli duhet të përshtatet me karakteristikat e lojtarëve të veçantë.

- Si do të luajë Italia sot kundër Bregut të Fildishtë në miqësoren e Londrës në “Upton Park”?

- Kemi një potencial sulmues të rëndësishëm, do ta provojmë. Kasano-Baloteli-Amauri do ta nisin lojën që nga fillimi. Është edhe Kualjarela, që ndihet mirë, kemi ndër mend të provojmë potencialin që kemi në dispozicion. Provuam linjën me tre mesfushorë, ideja është ajo që të gjejmë një modul që na jep vazhdimësi.