25 gusht 2010

Diego një hap larg Volfsburgut

Klubi bardhezi po mendon të pranojë ofertën prej 20 milion eurosh të klubit gjerman

Në merkaton e trazuar të Juventusit ka ardhur një tjetër dridhje. Kapitulli Diego, që dukej se ishte mbyllur me ndërprerjen e bisedimeve me skuadrën gjermane të Volfsburgut një javë më parë dhe me konfirminin e drejtuesve se nuk do të largohje nga Torino, është rihapur tashmë pas një tjetër oferte të bërë nga klubi i Volksvagenit, që ka hedhur në tavolinën e bardhezinjve plot 20 milionë euro, të cilat duket se do të pranohen nga drejtuesit e Juves.

Kjo shifër duket se është ajo që priste edhe drejtuesi i përgjithshëm i skuadrës torineze, Bepe Marota, për ta lënë të lirë brazilianin dhe për t’u hedhur në sulm për sulmuesin e Udinezes, Di Natale, i cili ka qenë golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në Serinë A dhe që do t’i kushtojë bardhezinjve 7 milion euro. Lojtari i kombëtares italiane dukej se ishte shumë afër kalimit tek skuadra e Fiorentinës, por ka qenë Juventusi që ka lëvizur më shpejt se të gjithë duke siguruar shërbimet e lojtarit të Udinezes për sezonin e ardhshëm.

Kështu, oferta e Volfsburgut, që ka pranuar kërkesën e drejtuesve bardhezinj ka ndryshuar plotësisht planet e klubit torinez dhe i ka dhënë fund aventurës së brazilianit Diego tek Juventusi. I marrë nga Vedrer Breme verën e kaluar për 25 milion euro, fantazisti brazilian mund të largohet nga Torino pa lënë asnjë shenjë, pas një sezoni zhgënjyes ku nuk ka arritur, jo vetëm për faj të tij, të përshtatet me skuadrën bardhezi dhe me kampionatin italian.

TREZEGE - Por nuk ka mbaruar me kaq. Sepse sulmuesi francez, David Trezege është shumë afër arritjes së marrëveshjes me skuadrën spanjolle Herkules Alikante që në sezonin e kaluar ka siguruar kalimin në Liga nga kategoria e dytë. Ndërkohë, Alberto Akuilani, ka kaluar me sukses dhe testet e dyta mjekësore të cilave i është nënshtruar ditën e djeshme dhe sot pritet të nënshkruajë me bardhezinjtë.

DEMIKELIS - Juvja ka nevojë edhe për një mbrojtës dhe emri që po lakohet më shumë ditët e fundit është ai i Martin Demikelisit, qendërmbrojtësi 29-vjeçar i Bajernit të Mynihut. Argjentinasi është grindur me van Galin, pasi ka refuzuar të qëndrojë në stol te Bajerni. Pas dekalratave të lojtarit se nuk mund ta pranojë bankinën dhe se kërkon të jetë titullar diku tjetër, Bajerni e ka nxjerrë në shitje.

Ky është një rast i mirë për Marotën, që i është futur punës për të marrë hua lojtarin, me të drejtën e blerjes definitive. “Kemi folur edhe me skuadrat e tjera, pasi nuk është vetëm Juvja e interesuar”, ka thënë menaxheri i lojtarit, Horge Siterszpiler. “Me Marotën kam raporte shumë të mira, prej kohësh ka thënë ai për mediat italiane. “Skuadrat e interesuara janë të paktën katër; Barcelona, Çelsi dhe Sevilja. Huazimi? Për momentin Bajerni i Mynihut nuk do që ai të largohet. Në Itali lojtari pëlqehet edhe nga skuadrat e Fiorentinës, Napolit dhe Romës, por këto klube nuk mund ta përballojnë çmimin e tij për shkak të buxhetit të kufizuar.”

NJESOJ SI TONI - Nëse lëmë mënjanë këto fjalë, që thuhen përherë nga menaxherët e lojtarëve, është e qartë se Demikelis është në situatën në të cilën ishte vjet sulmuesi italian Luka Toni, i cili pas huazimit tek Roma në gjysmën e sezonit të kaluar është blerë nga Xhenoa në fillimin e merkatos së verës. E kur van Gal vendos që një lojtar nuk bën pjesë në planet e tij, është e vështirë t’ia kthesh mendjen.

Për këtë arsye Marota ka nuhatur një moment të përshtatshëm dhe është hedhur në sulmin e rradhës për të përforcuar akoma më shumë skuadrën e Del Nerit. Kontrata e mbrojtësit argjentinas skadon më 30 qershor 2012 dhe për këtë arsye ideja e huazimit (siç ndodhi me Tonin te Roma) është më e mundshmja. Për më shumë duket se është ftohur pista që të çon te Boketi. Xhenoa në fakt kërkon thuajse 10 milionë, që janë shumë sipas Juves.