26 gusht 2010

Del Neri: Di Natale, zgjedhja e duhur për Juven

Trajneri bardhezi beson se sulmuesi i Udinezes mund ta ndihmojë shumë skuadrën e tij

Xhixhi del Neri ka zyrtarizuar largimet e afërta të Trezegesë dhe Diegos, që nuk janë grumbulluar për ndeshjen e kthimit të Ligës së Europës, ku Juventusi do të luajë sot në mbrëmje kundër Shturm Gracit (”zërat e merkatos shqetësojnë, ata duhet të qëndrojnë të qetë”), marrjen e Di Natales (”një lojtarë me karakteritsika të rëndësishme, mund të na ndihmojë shumë”) dhe qëndrimin tek bardhezinjtë të Markizios: “Probleme me kontratën?

Janë thjesht zëra, klubi nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të gjetur një marrëveshje me Markizion. Klubi do të arrijë ta zgjidhë problemin. Markizio nuk do të largohet”. Mesfushori torinez mund të luajë shumë shpejt me Akuilanin, që prej ditës së djeshme është zyrtarisht lojtar i bardhezinjve: “Bashkë formojnë një dyshe të bukur, por unë kam katër mesfushorë dhe nuk kam zgjedhur akoma dy titullarët.

Këtë vit do të kemi shtatë ndeshje në muaj, dy në javë. Do të jetë një kampionat i gjatë dhe i lodhshëm, do të kemi nevojë për të gjithë. Duam të krijojmë një grup të fortë, veçanërisht në aspektin psikologjik, që të dijë të përballet me vështirësitë që mund të paraqesë një sezon”. Më pas, vëmendja e trajnerit bardhezi ka kaluar tek ndeshja e sotme. Fitoria 2-1 e marrë nga Juventusi në Austri është një siguri për kalimin e turnit, por Del Neri ka preferuar t’i paralajmërojë lojtarët e tij:

“Nesër (sot) do të ndeshemi me një skuadër shumë të motivuar dhe në formë shumë të mirë fizike. Ndeshjet nuk duhen nënvlerësuar asnjëherë, pasi në futboll gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Del Neri.
SULMI - Xhon Elkan dhe Andrea Anjeli, shumë të dashur nga tifozët, e njohin shumë mirë humorin e popullit bardhezi dhe kanë përfituar nga ndeshja miqësore klasike e bardhezinjve, midis Juventusit A dhe Juventusit B, të zhvilluar ditën e martë, për t’i çuar një mesazh të qartë të gjithë ambientit.

Drejtuesve të Juventusit nuk i kanë pëlqyer aspak deklaratat e bëra nga presidenti i Interit, Masimo Morati, gjatë një interviste për stacionin televiziv italian Rai Uno: “Më mirë të kesh një skuadër multietnike sesa të blesh ndeshje”. Asnjë referim direkt, është e vërtetë, por nuk duhet të jesh gjeni për të kuptuar se numri një zikaltër i referohej ngjarjeve të 2006-s. Xhon Elkan, i cili nuk mbulon asnjë detyrë tek klubi bardhezi por është aksioneri kryesor, ka thënë:

“Tek Interi nuk kanë ditur asnjëherë të humbasin dhe mbi të gjitha nuk kanë mësuar akoma të fitojnë”. Pak minuta më pas, Andrea Anjeli, president i Juventusit, e ka përforcuar konceptin: “Morati duhet të mësojë të gëzojë për fitoret e tij, fjalët që ka thënë kanë qenë të kota”. Fjalët e dy kushurinjve kanë befasuar Moratin, i cili nga ana e tij ka thënë: “Jam i çuditur: në intervistën që kam dhënë për Rai Unon nuk e kam përmendur Juven”.