
Në dokumentacion përfshihen një seri përgjimesh, shumë prej të cilave janë bërë publike nga mediat, duke nisur prej muajit prill të këtij viti dhe që janë pjesë e 171 mijë telefonatave të mbledhura gjatë hetimeve të periudhës 2004/05, por që asnjëherë nuk janë marrë në konsideratë nga drejtësia sportive dhe ajo penale. Telefonatat e “zbuluara” nga avokatët e Luciano Moggi-t kanë hapur skenarë të rinj rreth skandalit “Calciopoli”, pasi aty tregohej se nuk ishin vetëm drejtuesit e Juventusit ata që kishin kontakte me disenjatorët e gjyqtarëve apo edhe me vetë arbitrit. Vonesa nga gjykata ka bërë që hetimi të mos nisë ende. Kjo ka bërë që drejtuesit e Juventusit të mendojnë të depozitojnë në selinë e FIGC një dokument me tekstet e përgjimeve më domethënëse. Një lëvizje që vjen pas kërkesës së muajit maj për të rimarrë titullin e vitit 2006, të cilin Interi e fitoi në tavolinë. Pretendimet bazohen në telefonata si ajo e 10 shkurtit 2005, që është bërë publike vetëm së fundmi: aty Giacinto Facchetti telefonon Tulio Lanezen, presidentin e arbitrave dhe i rekomandon një mik (Ambroxho Sfondrinin) për “një post të rëndësishëm” tek AIA.