09 gusht 2010

Juventusi ringre “bunkerin” e mbrojtjes

Vetëm një gol i pësuar nga bardhezinjtë në miqësore. Kielini, Bonuçi dhe Mota grumbullohen edhe në kombëtare

Mungon vetëm Bufoni (i dëmtuar) në Italinë e re të Prandelit për një repart, mbrojtjen, që kthehet të ketë një ngjyrë mbizotëruese bardhezi: Mota, Bonuçi, Kielini e… Molinaro, po,
ish-mëngjërashi i Juves i dërguar me shumë nxitim te Shtutgardi me frikën se mo Kristiani tashmë kishte “mbaruar”, pas rrezikut të një sëmundjeje që e detyroi të operohej dhe të qëndronte gjatë në shtrat deri në fund të sezonit 2009-të.

Një hernie periniale që iu shfaq në fillim si një e keqe e errët. “Pata frikë se mos do ta lija futbollin dhe mendova se mund të jetoja një jetë prej të sëmuri”, - rrëfeu atëherë Molinaro, që tani arrin një revansh me “axurrët” i kërkuar me djersë dhe profesionalizëm.

Sa keq që sot një alternativë për De Çeljen, Juventusi po kërkon jashtë një lojtar me përvojë, që të vrapojë, të jetë i shpejtë në mbulim, një identikit që të çon te Molinaro. “Ia kushtoj grumbullimin në kombëtare vetes sime, pas vite sakrificash e pune. Megjithatë, te Juvja kam përjetuar një periudhë shumë të bukur, ishte ëndrra ime të arrija në një skuadër të mirë dhe ia arrita. Pastaj për fat të keq vjet nuk pata mundësinë të vazhdoj dhe të tregoj atë që bëra ë dy vjet. Ishte e pashmangshme për mua të bëja një zgjidhje ndryshe. Në Gjermani jam shumë mirë”.

Në pritje të lojtarit që mungon, Xhixhi Del Neri mund të jetë i kënaqur. Reparti mbrojtës, pavarësisht nga ardhja e fytyrave të reja, është dukur solid, kompakt dhe me personalitet. Një shembull? Në daljet e para të sezonit, tri miqësore dhe dy ndeshje në Ligën e Europës kundër Shamrok Roversit, Marko Storari është kaluar vetëm një herë, kundër Lionit, me 11-metërsh. Në dhjetë vitet e fundit, në pesë ndeshjet e para verore, asnjëherë mbrojtja juventine nuk kishte reaguar kaq mirë, as në sezonin 2001-2002 me Marçelo Lipin në stol. 16 gola të shënuar dhe një vetëm i pësuar, si për Juven e Del Nerit, asnjëherë në atë rast ndonjë gol i pësuar me aksion.

Ai Juventus fitoi titullin e 26-të. “Më mirë të qëndrojmë me këmbë në tokë, - thotë mbrojtësi Kielini. - Nuk duhet bërë asnjë krahasim me të shkuarën, as me sezonin e shkuar. Më keq se vitin që shkoi s’kemi bërë asnjëherë. Del Neri po na bën të punojmë shumë mirë mbi përshtatjen mes reparteve, frytet do të shihen pas një muaji.

Në Ligën e Europës rrezikuam shumë, por është një aspekt mbi të cilin po punojmë mirë. Kur mbyllet një sezon si ai i shkuari, objektivi i parë është t’i rijapim besim një reparti që për vite ka qenë pika e referimit të skuadrës”. Ndërkohë, përshtatja me “axurrët” me Motën dhe Kielinin, mund të jetë sipas Leonardo Bonuçit, sekreti i nisjes me këmbën e mbarë: “Dhe të mendosh që Mota më la takim në kombëtare për grumbullimin e ardhshëm, nuk shpresonte kaq shpejt, - tregon Bonuçi. - Është një nder të jesh në ciklin e ri të Prandelit, por merita është e Juves, e një pune në stërvitje që sa vjen e përmirësohet. Përvoja me Kielinin me “axurrët”, ma ka lehtësuar përfshirjen te bardhezinjtë”.