Sulmuesi brazilian, që zgjodhi të luajë me “axurrët”, është i kënaqur për grumbullimin me ekipin e Prandelit
“Jam njeriu më i lumtur në botë, sepse të qenët këtu është për mua realizim i një ëndrre. Përveç një triumfi personal, është edhe një moment krenarie. Pritja për grumbullimin në përfaqësuese më në fund përfundoi”, janë fjalët e sulmuesit të Juventusit, Amauri, i cili ka rrëfyer mbresat e ditës së parë si lojtar i përfaqësueses, duke radhitur etapat e karrierës së tij.
Zotëri “askushi” - “Dhjetë vjet më parë, kur erdha në Itali, isha zotëri askushi, totalisht i panjohur. Në këtë kampionat u bëra një lojtar i rëndësishëm dhe i njohur.”
Zgjedhja - “Do të flas për këtë temë për të fundit herë sepse dua të përqendrohem te puna ime”, ka shtuar sulmuesi bardhezi. “Eshtë folur për një grumbullim të mundshëm timin me përfaqësuesen braziliane vetëm kur rashë në sy në Serinë A. Por vendimi im në lidhje me përfaqësuesen e kujt shteti do të luaj ka qenë përherë i qartë. Jam shumë i lumtur për këtë grumbullim sepse e kam ëndërruar që dy vjet më parë.” Amauri ka qenë i qartë edhe në shfaqjen e objektivave të tij të ardhshëm me fanellën e Italisë. “Dua të jem pjesë e kësaj përfaqësueseje sa më gjatë, ndoshta deri në botërorin e Brazilit (2014). Nëse shënoj gol kundër Brazilit? Nuk do ta kem problem.
Do të festoj siç shpresoj të festoj edhe në këtë miqësore, nëse do të kem fatin të luaj.”
Lipi - Për grumbullimin në lidhje me botërorin që shkoi, lojtari nuk ka thënë fjalë polimizuese, duke i qëndruar linjës së butë. “Sigurisht dhe sinqerisht shpresoja të grumbullohesha për Kupën e Botës 2010. Nëse do të thosha të kundërtën, do të gënjeja. Por e dija se sa e vështirë ishte sepse pasaporta m’u vonua dhe kjo komplikoi gjithçka. Ishte e drejtë që trajneri Lipi të vazhdonte punën me një grup me të cilin punonte që prej dy vitesh. Pra, e prisja këtë gjë.
Por këtu tani jam falë përzgjedhjes së Marçelo Lipit, të cilin do ta falënderoj gjithmonë dhe i jam mirënjohës. Me mua ka qenë përherë i qartë. E mbajti fjalën!”
Lega Nord - “Nuk kam përse të kem turp që jam këtu, pasi nuk kam ardhur me rekomandim”, ka shtuar Amauri, duke iu përgjigjur kritikave të ardhura nga partia Lega Nord (Lidhja e Veriut) për grumbullimin e tij në përfaqësuese. “Grumbullimi im në kombëtare është si rasti i Balotelit, mendoj se është një mundësi e mirë edhe për vetë përfaqësuesen. Na takon neve që t’i bëjmë disa njerëz të ndërrojnë mendim për këtë gjë. Nuk më kanë bezdisur deklaratat e bëra në të shkuarën nga lojtarët e tjerë të kombëtares; secili ka shprehur opinionin e tij, që i respektoj.”
Juventus - Në referimin ndaj skuadrës së tij është i qartë. Amauri shpreson te një fillimsezon pozitiv për vete dhe për skuadrën. “E nisëm mirë në Europë, por nuk kemi bërë asgjë ende. Doja ta nisnim mirë, me një fitore të dyfishtë. Kjo tregoi se sezoni i shkuar ishte “i mallkuar”. Reali? Më bëhet qejfi që emri im lakohet në nivele të tilla dhe që gëzoj vlerësimin e një trajneri si Mourinjo. Por unë mendoj vetëm për Juven”.