10 gusht 2010

Juve-Volfsburg, takim për Diegon në Torino

Drejtuesi i klubit gjerman Hënes ka biseduar me kolegun Marota, por thekson: Dzeko është sërish i pashitshëm

Në një takim surprizë, i kryer në sekret të plotë ditët e shkuara, drejtori i përgjithshëm i Volfsburgut, Dieter Hënes, është parë në Torino në selinë e Juventusit për një bisedë me kolegun e tij bardhezi Bepe Marota. Takimi, që më parë ishte fiksuar në Gjermani javën që shkoi mes të martës e të premtes, pati si objekt shitjen e Edin Dzekos te Juvja dhe kalimin e Diegos si pedinë këmbimi në klubin gjerman. Por drejtuesi gjerman mohoi shitjen e Dzekos: “U takova me drejtuesit juventinë, - tha Hënes.

- Pozicioni im për Dzekon nuk ka ndryshuar. Fola me drejtuesit e tyre dhe nuk dua të them se cilat ishin temat e bisedës dhe detajet”. Duket pikërisht që Volfsburgu kërkon Diegon, por që s’është i gatshëm të shesë Dzekon, i cilësuar sërish i pashitshëm. Ndërkohë Eljero Elia “parakalon” Milos Krasiç në objektivat e bardhezinjve.

Juvja, vendosi të përqëndrohet tek holandezi i ri i Hamburgut. Për anësorin 23-vjeçar, bardhezinjtë kanë ofruar 11 milionë euro. Ofertë që klubi gjerman nuk e ka pranuar. Për tani. Sepse në Torino janë gati të shkojnë deri në 15 milionë. E njëjta shifër që i është propozuar dhe CSKA-së për Krasiç, por që është tre vjet më i madh dhe mbi të gjitha është jokomunitar.

Pikërisht mosha nga pasaporta e bindën Marotën të hedhë sytë nga “Baloteli holandez”, i lidhur me Hamburgun deri në 2014-n. Duke parë që shpenzimi është i njëjtë, Del Neri do të kishte në dispozicion një lojtar me aftësi të njëjta, për të mos thënë që lojtari i përfaqësueses holandeze mund të luajë dhe si sulmues, duke lënë të lirë dhe një vend jokomunitari. Ndoshta për Dzekon, ose ndonjë opsion tjetër të minutës së fundit.

Vlerësime këto me vlerë, duke parë që Juvja nuk mund t’i lejojë më vetes gabime, mbi të gjitha në këto kohë. Por, në orët e fundit ka pasur një zhvillim të papritur në tratativat që afrojnë Krasiç tek Juvja: mesfushori i CSKA-së, nga grumbullimi i Kovilovos ku ndodhet me përfaqësuesen e tij, ka deklaruar se ka arritur marrëveshjen me drejtuesit bardhezinj, përsa i përket kontratës së tij me skuadrën torineze. “Unë e bëra pjesën time. Tani i takon dy skuadrave të bien dakord”, u shpreh serbi. Mbyllja pozitive duket tashmë e afërt.