Do të ishte një Alesandro Del Piero “stil Altafini”, ajo që po mendon tekniku bardhezi Luixhi Del Neri për këtë sezon. I gatshëm për të hyrë në fushë në çdo moment dhe i aftë për të zgjidhur takimin me gola e asist, ashtu siç bëri dhe ndaj Shamrok Roversit në Ligën e Europës në turin e parë paraeliminator. Për momentin “Pinturikio” duket se e ka pritur mirë faktin që nuk do të jetë titullar, por do të hyjë gjatë lojës dhe nuk shqetësohet shumë për dualizmin me shokun e skuadrës, Diegon.
Del Nerit i duhet shumë një lojtar, si Rivera apo Altafini në fundin e karrierës së tyre. Një aktivizim “part-time” mund ta ndihmonte të zgjaste karrierën e tij, në kërkim të rekordeve të rëndësishme, ashtu siç parashikoi ish-trajneri i tij, Kapelo, që shpesh aktivizonte vetëm në pjesën e dytë. Mbetet për t’u parë nëse Aleksi do të pranojë një rol të tillë deri në fund të sezonit.