11 gusht 2010

Diego drejt largimit, Juventusi në merkato

Braziliani ka mundësi të shkojë te Volfsburgu, por klubit bardhezi i duhen përforcime në mesfushë

Më i lumturi mund të jetë Aleks Del Piero. Stafeta “e frikshme” me Diegon, mund të mbyllet akoma pa filluar mirë. Takimi Juventus-Volfsburg për brazilianin, dëshmon që ish-fantazisti i Verderit është një hap larg shitjes”, teksa gjermanët ofrojnë 15 milionë euro, ndërsa bardhezinjtë duan të paktën 18. Marrëveshja është pranë. Dhe më ato para Marota do të kërkojë të përforcojë mesfushën dhe mbrojtjen. Por ëndërron një goditje edhe në sulm.

E vërteta është që lamtumira e Diego Ribas da Kunja do të sillte në arkat e klubit bardhezi rreth 20 milionë euro, mes rrogës së kursyer dhe shitjes së lojtarit. Gjithçka me miratimin e Del Nerit, i cili që në fillimim kishte parashikuar një dualizëm mes brazilianit dhe kapiten Del Pieros. Dhe atëherë sakrifica do të ishte e madhe, sepse do të tregojë “çlirimin” nga një lojtar që deri tani ka zhgënjyer dhe që ka qenë në qendër të merkatos, ku ka në të vërtetë pak rrëmujë.

Duke parë organikën ka shumë role për t’u mbuluar. Mungon një qendërmbrojtës dhe një anësor. Për të parin ka lindur një tratativë me Xhenoan për Boketin pas frenimit të Milanit, por rimerr kuotë kalimi i Barzaljit, që pikërisht Volfsburgu mund ta përfshijë në bisedimet për Diegon. Sa i takon krahut të majtë, ka tri kandidatë të njohur tashmë: Krasiç, për të cilin duhet bindur “vetëm” CSKA-ja e Moskës të ulë çmimin, Elia, që duket i blinduar nga Hamburgu dhe Bastos, më i talentuari, por edhe më i shtrenjti nga të tre (Lioni kërkon 20 milionë euro).

Nuk duhet harruar, që Juvja ka nevojë të mbushë mungesat në mesfushë, duke parë nisjen e Poulsenit, Tiagos dhe Kamoranezit. Me vetëm Markizion, Sisokon e Felipe Melon, mungon të paktën një element. Në këtë rast objektivat janë Ledezma dhe Palombo.

Për të parin duhen bërë llogaritë me kërkesat e Lotitos (që me ardhjen e Hernanesit është zbutur) dhe konkurrencën e Interit, ndërsa për të dytin, duhet shpresuar që Sampdoria të skualifikohet menjëherë nga Liga e Kampioneve në turin paraeliminator me Verder Bremenin. Tifoja anti-blukaltër vlen kur flitet edhe për Pacinin, sepse asnjë nuk e fsheh që Juventusi është gjithnjë në kërkim të një sulmuesi të planit të parë. Pacini i pëlqen Del Nerit, por është e vështirë t’ia marrësh Garrones.

Akoma më e vështirë është të bindet edhe Volfsburgu për Dzekon. Kështu rriten ndjeshëm kuotat e Adebajorit, që ka mosmarrëveshje me Sitin dhe protagonist i deklaratave të fundit të dashurisë për “Zonjën”. Pra, shumë emra dhe pak, shumë pak kohë. Elementë të përsosur për një mesgusht të nxehtë.