Trajneri i bardhezinjve ka qenë i kënaqur me lojën e skuadrës së tij në “Trofeun Berluskoni”
Kantieri është hapur dhe inxhinier Del Neri kërkon që ritmi i punës të jetë më i shpejtë, por Juvja e tij i ka themelet e forta. Skuadra e ka treguar qartë se është shumë më lart se në të shkuarën për sa i takon organizimit, impenjimit dhe përqendrimit. Distanca në fushë mes reparteve ka qenë e mirë, por tashmë duhet rritur niveli i lojës, mekanizmat e saj dhe personaliteti në fushë.
Por kjo kërkon kohë dhe këtë duhet ta kuptojnë edhe tifozët bardhezi, por garancia për ta quhet Del Neri, njëri ndër trajnerët e paktë në qarkullim që dinë si të imponojnë stilin e vet në skuadër. Xhixhi është një njeri që është mësuar të punojë me pak burime dhe në karrierën e tij nuk ka pasur luksin e tanishëm, kështu që di si të nxjerrë maksimumin nga çdo lojtar.
Me Kievon bëri që edhe skuadrat e mëdha t’i frikësoheshin, duke e çuar atë deri në Europë. Si trajner i Atalantës dhe Sampdorias ka tërbuar edhe vetë Hoze Mourinjon, duke e çuar Sampin në Champions pothuajse pas 18 vitesh. Sekreti i tij: organizim dhe lojë e bukur. Ai i ka të gjitha shanset për të pasur shumë sukses te Juvja, ku mund të mbështetet mbi të gjitha edhe te mjetet teknike, tradita, prestigji, dëshira për revansh.
Por faza e rindërtimit duhet të shoqërohet nga durimi i atyre që presin shumë prej Juves, pasi në këtë fazë të parë do të luajnë rol të madhe dhe tifozët dhe fantazia e vetë trajnerit, që në realitet është duke u përpjekur të krijojë regjisorin e lojës te Juvja, të cilin nuk po e gjejnë dot në merkato, me gjithë tentativat e Marotës. Ishte e dukshme puna e trajnerit Del Neri me Felipe Melon, që në fushë ishte më i miri, zemra e skuadrës.
Rikuperimi i brazilianit mund të jetë një armë e madhe për Juven. “Jam i kënaqur, - ka thënë pas ndeshjes kundër Milanit trajneri Del Neri, duke marrë në konsideratë të nxehtin. - Sipas mendimit tim, pamë një ndeshje të bukur nga të dyja skuadrat”. Kjo ndeshje para kampionatit “ishte e vlefshme për një trofe të rëndësishëm”, ka thënë trajneri bardhezi. Juvja fitoi me penallti, “por më shumë kanë rëndësi minutat që lojtarët e mi luajtën në fushë.
Ne do të punojmë shumë më tepër.” Për Juven do të jetë një impenjim tepër i madh taktikisht, pasi nuk e ka më atë epërsinë e nisjes së fazës përgatitore para të tjerëve, pasi tashmë gjendja fizike e skuadrave është thuajse e njëjtë. Po në ç’gjendje është Juvja një javë para transfertës së Barit? “Mirë, jemi në gjendje të mirë, por duhet të kapim formën maksimale sa më shpejt, sepse jemi Juvja dhe kundërshtarët tanë do të japin maksimumin kundër nesh, - ka thënë Del Neri, që dje ka mbushur 60 vjeç.
- Më mirë sikur gazetarët të mos ma kujtonin. Por jam ende i ri në shpirt (qesh). Kam shpirtin e kësaj skuadre. Më pëlqen përqendrimi i djemve, vëmendja që i kushtojnë gjërave që bëjnë. Në mbrojtje jemi mirë. Martinez dhe Del Piero janë në rritje. U kundërpërgjigjëm në çdo sulm të tyre. Tani do të mendojmë për ndeshjen kundër Shturm Gracit”. Te Juvja kanë ardhur Krasiç e Akuilani, “por mos më pyesni nëse do të luajnë menjëherë. Le të sistemohen një herë, pastaj do të shohim. Nëse do të jenë mirë, do të luajnë. Përndryshe, jo.”