01 gusht 2010

Amauri: Rilinda dhe do të qëndroj te Juvja

Braziliani, protagonist në Dublin pas një viti ankthi: U riktheva lojtari i dikurshëm që vetëm shënoja

Andrea Anjeli do të jetë në tribunë edhe në Modenë për ndeshjen e kthimit me Shamrok Roversin, edhe pse kalimi i turit në Ligën e Europës, pas fitores 2-0 në Dublin, është në kasafortë. Presidenti po ia merr dorën. Në fund po lind Juvja “e tij” dhe nuk ka asgjë elektrizuese që të shohësh pikërisht krijesën tënde të rritet e të ecë në mënyrën e duhur. Në Dublin Anjeli u zbavit, ndonëse kundërshtari nuk ishte i nivelit maksimal: “Por një fitore duhet gjithnjë, - tha presidenti bardhezi, - është e rëndësishme për karikimin e grupit pas sezonit të shkuar. Pastaj jam i kënaqur për Amaurin, i kthyer te goli”. Anjeli nuk ishte i vetmi që e mbuloi me lavde brazilianin.

Xhixhi Del Neri e Amauri ishin vetëm një vit bashkë te Kievoja, në 2003-2004, viti i parë i brazilianit në Veronë. Dhe disa vite më pas të dy flasin të njëjtën gjuhë. “Jam i kënaqur për Amaurin, - thotë Del Neri. -Luajti mirë, sepse ka punuar mirë në stërvitje. Është përkushtuar deri në fund, vendosi të kthehet lojtari që të gjithë e njohin. Amauri ky është, nëse është mirë siguron fizik dhe manovër sulmuese”.

SHTËRPËSI - Kënaqësia, festa me Motën pas golit të dytë në Irlandë, tregojnë shumë mbi momentin delikat të sulmuesit nga Karapikuiba, që sapo ka mbushur 30 vjeç dhe ka lënë pas shpine një sezon “prej ankthi”, siç e cilëson vetë Amauri: “Jam i kënaqur, ishte një mbrëmje e rëndësishme për rezultatin dhe një herë më shumë për mua. Por nuk bëmë asnjë mrekulli, nuk kemi bërë akoma gjë, jemi vetëm në fillim”. Takimi me golin mungonte që më 18 shkurt: një tjetër dygolësh gjithnjë në Ligën e Europës, por kundër një skuadre të mirë si Ajaksi.

“Në këtë kohë ndodhi gjithçka, - tregon ai. - Për fat të mirë erdhën pushimet për t’u qetësuar e reflektuar”. Në fillim në Majemi, pastaj në Brazil, ku Amauri nuk kthehej pas një kohe të gjatë te të afërmit më të shtrenjtë. Një rikthim në origjinë, në rrënjët e tij për një si ai që njihet në vendin e tij. “Kam punuar shumë mirë në stërvitje, por dëshira për revansh ishte e madhe, - vazhdon sulmuesi bardhezi. - Goli është i rëndësishëm për një sulmues: më mungonte, e pranoj. Dygolëshi në Dublin më duhej për të fshirë dyshimet ndaj meje, nga ata që mendonin se Amauri ishte akoma ai i sezonit të shkuar. Jo, ai nuk ishte Amauri, por një kopje e dalë keq e tij. Ai i vërteti, ai i Palermos ose i vitit të parë te Juvja, do të rishihet këtë vit, jam i bindur. Po Diego? Mund të luajë si sulmues i dytë, në Dublin lëvizi mirë, i mungoi vetëm goli”.

VETËM JUVE - Për Amaurin flitet edhe në Madrid, sepse Mourinjo e kërkon te Reali: “Përgëzimet dhe vlerësimet e Mourinjos nuk mund të mos më gëzojnë,- vijon Amauri. - Por unë mendoj vetëm për Juven, këtë vit është vetëm Juventusi”. Edhe menaxheri i tij, Xhiapiero Poçeta, nënvizon: “Interesimi i Real Madridit është një shtysë më shumë për t’u paraqitur më mirë, shenjë që lojtari është në rrugën e duhur. Amauri është një lojtar i rëndësishëm, në pjesën e parë të merkatos kemi pasur kontakte me disa klube, por nuk ka pasur asgjë konkrete. Kjo, sepse vullneti i fortë i djaloshit është ai që të qëndrojë te Juventusi”.