Falë sulmuesit dhe brazilianit Diego, bardhezinjtë hipotekojnë kualifikimin ndaj Shamrok Roversit
Në 1996-ën kur Del Piero me një magji të tij ndihmoi në fitoren e Juventusit kundër Internacionalit në Kupën Interkontinentale Diego da Kunja ëndërronte të bëhej pjesë e sektorit të të rinjve të Santosit, disa vite larg Europës dhe larg Juventusit. Sot Del Piero rrezikon të eklipsohet, i lënë në hije nga një lojtar që prej një viti ndodhet tek Juvja dhe që dukej se do të ishte një kalimtar pas sezonit të kaluar, kur u ble 25 milionë euro.
Të rekuperohet Diego, të vihet në vitrinë për ta shitur ose për t’u mbështetur tek ai, ndoshta duke e aktivizuar në një pozicion të ri: kjo është detyra e Del Nerit, që në ndeshjen e parë në Europë i ka dhënë Del Pieros vetëm 9 minuta në fund të takimit.
Ka zgjatur vetëm tre minuta, pankarta ironike e shkruajtur në italisht, “Na bëj të ëndërrojmë”, e nxjerrë në shkallët e stadiumit nga tifozët irlandezë të Shamrok Rovers. Në aksionin e parë të dyshes braziliane Diego-Amauri bardhezinjtë kanë gjetur golin. Në ndeshjen e parë zyrtare Del Neri ka lënë në stol Del Pieron duke i dhënë hapësirë Diegos si sulmues i dytë, Amauri ka qenë qendërsulmues dhe në stol Trezege, me njërën kavilje të dëmtuar.
Kur të gjithë prisnin të shikonin Diegon në aksion ka ardhur shpërthimi i Amaurit. Që e ka filluar nga aty ku ishte ndalur: një dygolësh në Ligën e Europës, si dy golat më 18 shkurt në Ligën e Europës kundër Ajaksit. Gola të rëndësishëm, një shtyllë, një kartvizitë e mirë për sulmuesin pas një sezoni për t’u harruar. “Kemi akoma shumë punë për të bërë po rezultati na jep mundësinë që të përgatitemi me qetësi, jam rizgjuar falënderoj Zotin.
Tani skuadra luan për mua dhe unë argëtohem. Ky, do të jetë viti im”. Ndërkohë, ka qenë i kënaqshëm edhe fillimi i sezonit nga ana e Diegos: një gol në ndeshjen e parë miqësore, një pasim për Pepen kundër Lionit, një tjetër pasim për Amaurin në Ligën e Europës dhe disa lëvizje interesante. Por nga ai priten edhe golat. Eshtë akoma i pasaktë para portës.
Si në minutën e 40-të të pjesës së parë kur braziliani futet në zonën nga krahu i djathtë dhe kishte të gjithë hapësirën për të goditur portën, por zgjedh të pasojë në mes një top që është bllokuar nga mbrojtja. Më shumë se një sulmues i dytë, një organizator i mirëfilltë. Jo keq, duke patur parasysh se Juventusi duhet të përforcohet në repartet e tjerë dhe mbi të gjitha që Diego nuk ka ndërmend të largohet nga Juvja:
“Jam shumë i kënaqur për rezultatin. Ishte e rëndësishme ta fillonim mirë sezonin. Flitet shumë për një largim timin nga Juvja, por janë thjesht fjalë. Jam i lumtur këtu, dua të respektoj kontratën dhe të fitoj plotësisht besimin e trajnerit”, tha Diego.