Zikaltrit do të presin në “San Siro” kampionët e Europës në fuqi, në atë që shumë e kanë quajtur një finale të parakohshme.Zllatan Ibrahimoviç dhe Samuel Eto kanë mundësinë më të mirë t’i japin fund argumenteve se cila ka përfituar mes Barcelonës dhe Interit gjatë shkëmbimit të dy sulmuesve në merkaton e verës.
Për shkak të “kapriços” së shortit, dy sulmuesit do të debutojnë në Ligën e Kampionëve me ekipet e reja, pikërisht kundër ish-skuadrave të tyre, ku fituan tituj dhe lavdi.
Të gjitha biletat në dispozicion për këtë ndeshje janë shitur brenda pak kohësh që në momentin e parë dhe sot pritet një atmosferë e zjarrtë në “San Siro”.
Natyrisht, e gjithë vëmendja është e përqendruar te Ibrahimoviç dhe gjatë gjithë kësaj jave nuk kanë munguar deklaratat dhe kundërdeklaratat e protagonistëve në lidhje me rikthimin e sulmuesit suedez në stadiumin ku për tre vite rresht ishte i preferuari i tifozëve.
“Prej meje ai do të marrë një përqafim të madh, nuk e di çfarë do të bëjnë tifozët, pati deklaruar Hoze Mourinjo. "Do ta takoj me përzemërsi në fillim të ndeshjes, pastaj, për 90 minuta nuk dua t’ia di për emrin e tij.”
Por Ibra dhe Eto nuk janë ish-ët e vetëm në këtë përballje. Maksuell dhe Tiago Mota do të luajnë edhe ata kundër ish-skuadrave të tyre. Po ashtu, edhe Mourinjo ka qenë zëvendëstrajner i katalanasve në vitet 1996-1997, në kohën kur spanjollët drejtoheshin nga Bobi Robson.
Interi është mundur vetëm një herë nga ekipet spanjolle në San Siro nga 15 ndeshje të luajtura kundër iberikëve gjithsej në Kupat e Europës.
Formacionet e mundshme:
Inter (4-3-1-2): H. Sezar; Maikon, Lusio, Samuel, Kivu; Zaneti, Mota, Stankoviç (Muntari); Shnajder; Eto, Milito. Tr. Mourinjo. Të gatshëm:Toldo; Kordoba, Santon; Stankoviç, Vieira; Suazo, Baloteli
Barcelona (4-3-3) - Valdes; D. Alvesh, Pujol, Pike, Maksuell; Ture, Ksavi, Keita; Henri, Ibrahimoviç, Mesi. Tr. Guardiola Të gatshëm: Pinto; Abidal, Markez; Injesta, Buske; Xhefren, Pedro