10 nëntor 2010

Seria A, koha e sfidave të mëdha që mund të vendosin sezonin

Është ora e përballjeve të skuadrave që luftojnë për objektiva të njëjtë.. 

Seria A, tashmë është futur në pjesën më të bukur të saj, të paktën për fazën e parë. Tani nuk ka më shumë kohë dhe pretendentët duhet të tregojnë veten. Për skuadrat që renditen në vendet e para tani ka ardhur momenti që të ndeshen me njëra-tjetrën, dhe për të treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Duke filluar që nga nesër, me javën e 11-të dhe për rreth dy muaj rresht do të ketë duele spektakolare dhe të jashtëzakonshme. Deri në përfundim të fazës së parë do të shikojmë që shumë skuadra, jo të gjitha, por shumica prej tyre do të provojnë se kanë ambicie, duke përfshirë këtu, përveç të “mëdhave”, edhe skuadra si Fiorentina apo Xhenoa, që për momentin nuk janë në një pozicion të mirë. Më poshtë, sipas “Sportmediaset. it”, do të shikojmë se si do të jenë përballjet e këtyre skuadrave me njëra-tjetrën duke parë kalendarin dhe ndeshjet që kanë brenda dhe jashtë fushe.

Lacio: 22 pikë - 4 ndeshje direkte, (2 në shtëpi)
Gjendja: Po kthehen me këmbë në tokë


Në mënyrë të padiskutueshme bardhekatrit e meritojnë që të jenë në vendin e parë të Serisë A, të paktën për atë që kanë dhënë deri tani. Po më pas? Kjo mbetet për tu parë. Skuadra e Edi Rejës ka katër përballje direkte. Si fillim do të ketë Napolin më datë 14 nëntor. Kjo mund të mendohet jo dhe shumë e vështirë, pasi luhet në shtëpinë e bardhekaltërve, por më pas më 5 dhjetor do të vijë sfida e së vërtetës kundër Interit po në “Olimpiko”, dhe pas një jave, përballë tyre do të jetë Juventusi, ku Lacio duhet të udhëtojë për në Torino, por nuk duhet harruar edhe përballja që duhet të kenë me Xhenoan në fushën e kësaj të funti, një sfidë mjaft delikate. Mbetet për t’u parë nëse Lacio do t’ia dalë.

Milan: 20 pikë - 5 ndeshje direkte (3 në shtëpi)
Gjendja: Në rritje

Fitorja në Bari, ishte fitorja e tretë në transfetë, fitore të tilla janë mjaft të rëndësishme për ecurinë e një ekipi, i cili ka pretendime, por kjo fitore u arrit falë yjeve të ekipit. Themi këtë, pasi po të mos ishte Pato, me golin e tij të tretë që shënoi për skuadrën, mund të flitej ndryshe, me kuqezinjtë, ende pas Interit, por sigurisht që Milani nuk e vendosi kurrë në diskutim fitoren. Ajo që u në “San Nikola”, ishte një provë bindëse që konfirmon se Milani do të jetë një pretendent mjaft i fortë në Itali. Gjithashtu edhe mesfusha tregoi që mund të jetë në nivel të lartë, dhe pikërisht ku sektor i dha tri pikët në ndeshjen kundër Barit. Por sfida e vërtetë për kuqezinjtë do të fillojë pikërisht tani, mbase që në ndeshjen e nesërme në “San Siro”, kundër Palermos. Më pas do të ndeshet në derbi kundër Interit, një ndeshje që nuk mund të parashikohet, zikaltërit do të jenë pritës. Pas tyre presin Fiorentinën dhe më pas shkojnë në “Marassi” për t’u ndeshur me Sampdoria, këto janë ndeshje që vijnë njëra pas tjetrës, pa folur më pas një tjetër ndeshje të vështirë kundër Romës në Milano. Por gjithashtu duhet përmendur se mes tyre do të ketë edhe ndeshje të Championsit. Për Milanin tani fillon sezoni i vërtetë.

Inter: 19 pikë - 4 ndeshje direkte (2 në shtëpi)
Gjendja: Në vështirësi

Është një nisje me “frena dore” për “bandën” e Rafa Benitezit. Në ambientin zikaltër duket shumë “ftohtë”. Infermieria është e mbushur plot, dhe nuk është më ajo skuadra që ishin një sezon më parë, këtë fakt edhe vetë zikaltrit e pranojnë. Samuel e ka mbyllur sezonin, Maikon do të duhet që të qëndrojë rreth një muaj jashtë, gjendja e Shnaijder mbetet ende “mister”. Në ndeshjen kundër Breshias u duk qartë që Interi është i sëmurë. Por për Interi, ashtu si edhe për Milanin, kampionati duhet të nisë tani, pasi në fundjavë përballë do të kenë kuqezinjtë. Më pas nuk duhet të nënvlerësojnë përballjen në “Olimpiko” kundër Lacios, një ndeshje mjaft e vështirë. Pas bardhekaltërve vjen Fiorentina, e cila do të jetë pritëse. Më pas Napolin e presin në “San Siro”, pa përmendur këtu edhe turneun e Botërorit të Klubeve që do të zhvillohet në dhjetor.

Juventus: 18 pikë - 5 ndeshje direkte (3 në shtëpi)
Gjendja: Po gjejnë vazhdimësinë

Katër fitore dhe dy barazime në gjashtë javët e fundit, duke përfshirë këtu edhe 4 pikët e mara në “San Siro” kundër Interit dhe Milanit, ende nuk i kanë bindur njerëzit për forcën që kanë. Pavarësisht rezultateve të mira, ende nuk kanë arritur që të bindin plotësisht, gjithashtu kjo shikohet edhe në gjendjen e dobët në Europa League. Por gjithsesi, edhe me një numër të madh dëmtimesh dhe mungesash, por edhe pse kishin luajtur të enjten, pasi dihet se europa të merr shumë energji, bardhezinjtë arritën që të fitojnë kundër Çezenës, e cila shënoi e para, këto faktorë të bëjnë të besosh se kjo skuadër do të luftojë deri në fund. Por gjithashtu edhe pse barazoi me Interin dhe fitoi me Milanin, një tjetër sfidë që mund të tregojnë se sa vlejnë është kundër Romës dhe Fiorentinsë në Torino. Më pas kundër Xhenoas në “Marassi”, do të presin Lacion në shtëpi dhe në javën e fundit të kësaj faze shkojnë në “San Paolo”, për t’u përballur me Napolin, forca e të cilëve dihet në shtëpinë e tyre.

Napoli: 18 pikë - 5 ndeshje direkte (2 në shtëpi)
Gjendja: Të uritur

Fitore pa histori ishte ajo e arritur kundër Parmës këtë fundjavë, një sukses i arritur si një ekip i madh. Por ajo që të lë të dyshosh është ajo që pamë në Europa League, se si “axurrët”, arritën në “vetëvrasje” kundër Liverpulit, nuk arritën që të administrojnë lojën dhe avantazhin. Napoli është një skuadër e “çmendur”. Ata janë të gatshëm të rrezikojnë jashtëzakonisht shumë, edhe që të “thyejnë kokën”, dhe këtë pikë një trajner si Maxari nuk të ndihmon, pasi duket se ai është i prerë për këtë skuadër. Për momentin Napoli ndodhet në një pozicion komod, dhe mund të tentojë për më lart, por provat e vërteta do t’i ketë përpara. Lacio, Xhenoa dhe Interi ndoshta janë ndeshjet më të vështira, pasi luhen në transfertë, por edhe ato në “San Paolo” nuk do të jenë të lehta kundër Palermos dhe Juventusit.

Roma: 15 pikë - 5 ndeshje direkte (1 shtëpi)
Gjendja: Drejt përmirësimit

Fitorja e arritur kundër Lacios, nuk është thjeshtë një fitore, por kjo i ka bërë mirë skuadrës së Ranierit, jo vetëm nevojës që kishte skuadra për pikë, po i ka ngritur edhe moralin. Por gjithashtu verdhekuqtë, duket se kanë filluar të ringrihen, duke marrë në kampionat në katër ndeshjet e fundit tri fitore dhe një barazim, rezultate të mira. Kjo Romë, në disa raste pa kapitenin Toti, është një skuadër që mund të të fusë frikën. Është më e lirshme dhe mund të ndëshkojë në çdo moment. Për këtë skuadër kalendari duke mjaft i vështirë, nga pesë përballje që mund të konsiderohen direkte, verdhekuqtë duhet të luajnë jashtë “tempullit” të tyre katër sfida, që janë kundër Juventusit, Palermo, Milan dhe Samdoria. Sfida e vetme që do të luajnë në “Olimpiko”, është ajo e nesërmja kundër Fiorentinës. Përballje deçizive për kryeqytetasit.

Sampdoria: 15 pikë - 4 ndeshje direkte (3 në shtëpi)
Gjendja: Situatë e mjegullt

Nuk e filluan mirë kampionatin, teksa përveç fitores në ndeshjen e parë kundër Lacios, nuk është se morën ndonjë rezultat të mirë, teksa barazuan me Juventusin, u mundën nga Napoli, barazuan me Kaljarin, Udinezen dhe Bolonjën, për t’u kthyer më pas te fitorja kundër Fiorentinës, që u duk se do të vinte ndryshimi. Por për Sampin ka disa probleme, kryesorja është mes presidentin Garrone dhe Kasanos, nëse mungon sulmuesi aty mungojnë golat. Vetëm një gol është shënuar në 180 minuta, edhe në minutën e 92’ të takimit. Por sidoqoftë kalendari mund të konsiderohet i mirë për Samdorian, pasi në katër ndeshje që mund të duken deçizive tri do t’i luajë në shtëpi, edhe pse janë ndeshje të vështira. Do të presin Milanin dhe Romën në “Marassi” por gjithashtu kanë edhe derbin kundër Xhenas, dhe vetëm një transfertë kundër Palermos.

Palermo: 14 pikë - 4 ndeshje direkte (2 në shtëpi)
Gjendja: Po arrijnë pjekurinë

Ka qenë një fitore kthese dhe mund të jetë vendimtare, fitorja e arritur kundër Xhenoas në fundjavë. Skuadra e Delio Rosit, është dukur një skuadër e matur dhe e pjekur, teksa ka arritur që të administrojë rezultatin në mënyrën më të mirë, edhe pse ishte vetëm 1-0. Gjithsesi i vetmi që mbase nuk ka qene i lumtur ka qenë presidenti Zampatrini, i cili është një dashamirës i futbollit “shampanjë”, por loja e zhvilluar të dielën në mbrëmje i sigurojë atyre tri pikë mjaft të rëndësishme. Por testi për skuadrën e Rosit do të jenë katër ndeshjet direkte për të provuar se deri ku arrijnë ambiciet e Palermos. Sfidat fillojnë që nesër kur do udhëtojnë për në Milano, ku i pret Milani, më pas do të presin në shtëpi Romën, këto mund të jenë edhe dy ndeshjet më të vështira, por gjithsesi edhe transferua e Napolit dhe ndeshja në shtëpi kundër Samdorias nuk kanë për të qenë të lehta.

Fiorentina: 12 pikë - 4 ndeshje direkte (1 shtëpi)
Gjendja: Me luhatje

Kthehet Adrian Mutu, dhe “fytyra” e Fiorentinës ndyshon. Arriti një fitore mjaft të rëndësishme kundër Kievos, edhe pse me vuajtje. Mihajloviç ende nuk e ka gjetur mënyrën e duhur dhe skuadra e tij paraqitet me luhatje, por duket se “vjollcët’ po fillojnë ta marrin veten, edhe pse me ngadalë, çka mund të jetë ndikuar edhe nga disa mungesa të rëndësishme. Shembulli më i mirë është rikthimi i rumunit, dhe duket se skuadra ka më tepër siguri. Ndeshjet që mund të vendosin fatin e sezonit për ta fillojnë që në ndeshjen e nesërme kundër Romës në transfertë, më pas i pret Milani, dhe direkt pas kuqezinjve i pret Juventusi. Ndërsa sfida e vetme në “Artemio Franchi”, është kundër Interit. siç shikohet janë katër sfida mjaft të vështira që nuk do të jetë e lehtë që të kalohen për Firorentinën, dhe mund të vendosin shumë në të ardhmen e kësaj skuadre.

Xhenoa: 11 pikë - 4 ndeshje direkte (3 në shtëpi)
Gjendja: U nevojitet “ajër i freskët”

Nuk e ka nisur mirë këtë kampionat Xhenoa, mbase në disa raste mund të ketë qenë edhe pa fat, pasi kanë luajtur mirë dhe nuk kanë mundur të marrin qoftë edhe një pikë. Shembulli më i mirë është ndeshja e zhvilluar kundër Interit, ku pas një gabimi të portierit u ndëshkua e gjithë skuadra, edhe pse zhvilloi një lojë të mirë. Por e ardhmja mund të jetë më e mirë, edhe pse përpara ka katër ndeshje direkte me skuadra që i kanë pothuajse të njëjtë objektivat. Tashmë është larguar Gasperini dhe në horizont është shfaqur Balardini, i cili do të duhet të përgatisë skuadrën për këto takime. Transferua e vetme është kundër Samdorias në derbi, që edhe kjo mund të konsiderohet në shtëpi. Ndërsa transfertat do të jenë kundër Juventusit, Napolit dhe Lacios, por që disa nga këto mund të kalohen, dhe Xhenoa mund të rregullojë pozitat e saj në renditje.