Juventusi ka treguar vazhdimësi në lojë dhe rezultate në kampionat gjatë javëve të fundit, por mesfushori Alberto Akuilani bën thirrje për vetëpërmbajtje.
“E prisja një fillimsezoni kaq pozitiv, por ende nuk kemi bërë asgjë”, pohoi ish-lojtari i Romës dhe Liverpulit. Të dhënat dëshmojnë se me Akuilanin në fushë, Juventusi nuk humbet kurrë. Megjithatë 26-vjeçari nuk e konsideron veten të pazëvendësueshëm: “Është skuadra që luan mirë, është thjesht rastësi që nëntë rezultatet pozitive radhazi kanë ardhur kur unë kam qenë në fushë. Nëse mbajmë këtë ritëm, mund të marrim shumë kënaqësi”.
Akuilani doli nga fusha i dëmtuar gjatë ndeshjes së fituar 2-0 në fushën e Xhenovas fundjavën që shkoi, por problemi nuk duket i rëndë. “Thjesht një lodhje muskulore. Besoj se do të jem në ndeshjen me Fiorentinën”, siguroi ai. “E dija që Juventusi përfaqësonte për mua një mundësi të rëndësishme, një tren që po kalonte dhe të cilin duhet ta merrja. Një tren që më çoi edhe në kombëtare”.