Sonte luhen ndeshjet e parafundit në grupet E, F, G dhe H, të Ligës së Kampionëve, ku pritet të zbardhen një pjesë e enigmave për kualifikimin në turin tjetër.
Grupi E; Superndeshja e këtij grupi është ajo mes Romës dhe gjermanëve të Bajernit të Mynihut. Bavarezët kanë “blinduar” vendin e parë me 12 pikë, ndërsa romanët kërkojnë të forcojnë pozitat në vendin e dytë. Aktualisht kryeqytetasit e Italisë ndodhen në kuotën e 6 pikëve, të ndjekur nga Bazeli dhe CFR Kluzhi me nga 3 pikë.
Interesante paraqitet përballja edhe mes Bazelit dhe CFR Kluzhit, pasi gara për vendin e dytë dhe të tretë mbetet plotësisht e hapur.
Grupi F; Londinezët e Çelsit do të presin në fushën e tyre modestët e Zilinës. Ekipi i drejtuar nga Karlo Ançeloti luan thjesht për rekord, pasi ka siguruar kualifikimin me 12 pikët e marra në katër ndeshjet e para. Ndërkohë, për hungarezët e Zilinës përballja në “Stamford Brixh” do të jetë një kujtim i bukur.
Përballja kryesore e këtij grupi është ajo mes Spartakut të Moskës dhe Olimpikut të Marsejës. Të dyja këto ekipe ndodhen në kuotën e 6 pikëve, dhe fitorja është e domosdoshme për secilën.
Grupi G; Milani i Masimiliano Alegrit do të udhëtojë sonte drejt Okserit, me objektivin e vetëm për fitoren. Situata e italianëve në këtë grup është komplikuar mjaft pas katër ndeshjeve të para, ku kanë arritur të grumbullojnë vetëm 5 pikë. Ndërkohë, Okseri ka arritur vetëm një fitore përballë Ajaksit të Amsterdamit.
Ndeshja tjetër është ajo mes gjigantëve të Ajaksit dhe Realit të Madridit. Spanjollët duken më komodë në këtë grup, duke u pozicionuar në vendin parë me 10 pikë. Ajaksi ndodhet në vendin e katërt me 4 pikë, por ndeshjen e fundit do të luajë në fushën e vështirë të Milanit.
Grupi H; Partizani i Beogradit do të presë në fushën e vet Shakhtarin e Donetskut, me objektivin për të marrë tre pikët e para në këtë grup. Nderkaq, Shakhtari ndodhet në vendin e parë me 9 pikë së bashku me Arsenalin, dhe në transfertën e Beogradit do të luajë gjithçka për të ruajtur këtë pozicion.
Arsenali do të luajë në transfertën e Bragës së vendit të tretë me 6 pikë. Të dyja ekipet do të bëjnë të pamundurën për të marrë maksimumin, duke marrë parasysh situatën ku ndodhen aktualisht.
Të gjitha ndeshjet do të nisin në orën 20:45, ndërkohë që ndeshjet e parafundit për katër grupet e para do të luhen nesër.
Reali, në Amsterdam me mendjen tek “El Classico”
Reali i Madridit do të luajë në fushën e Ajaksit, por duke menduar për përballjen e madhe me Barcelonën të hënën në mbrëmje. Milani luan në fushën e Okserit.
Ekipit të Hoze Mourinjos i mjafton një pikë për të siguruar vendin e parë në grupin G, ndërkohë që kryesuesit e La Ligës duhet të racionalizojnë forcat për sfidën me katalanasit. Ende të pamposhtur nën drejtimin e Mourinjos, “galaktikët” udhëtojnë drejt “Amsterdam Arena”-s pa mesfushorin Kedira dhe Sulmuesin Higuain, të dëmtuar përkatësisht në këmbë dhe në shpinë. Vendin e tyre me shumë gjasa do ta zërë Lasana Diarra dhe Karim Benzema.
Përballja e sotme është tepër e rëndësishme edhe për Ajaksin, që mban vendin e tretë me katër pikë. Holandezët kanë një pikë më pak se Milani e një më tepër se Okseri, ndërkohë që po kalojnë një formë jo të mirë në kampionat. Në tri ndeshjet e fundit skuadra e Martin Jolit ka marrë vetëm një pikë, ndaj tekniku holandez tashmë ndodhet nën presion.
Sfida tjetër e grupit G luhet në Francë dhe vë përballë Okserin dhe Milanin. Italianët mund të sigurojnë kualifikimin nëse dalin me fitore nga transferta me francezët, me kusht që Reali të mundë Ajaksin. Në mungesë të Patos e Inzagit dhe me Ronaldinjon jo në formën më të mirë, kuqezinjtë e Alegrit i varin shpresat te Zllatan Ibrahimoviç. Suedezi ka rezultuar vendimtar me golat dhe lojën e tij në Serinë A, ku Milani udhëheq me tri pikë diferencë nga Lacio e vendit të dytë.
Roma pret Bajernin, fitorja s’mjafton
Skuadra italiane pret në “Olimpiko” Bajernin e kualifikuar, por kalimi i grupit varet në një masë të konsiderueshme nga rezultati i takimit mes Bazelit dhe Kluzhit.
Pasi është rikthyer pretendimeve në kampionat, skuadra nga kryeqyteti italian shpreson të bëhet protagoniste edhe në Ligën e Kampionëve. Formacioni i Klaudio Ranierit mund të sigurojë një vend mes 16 më të mirëve të Evropës nëse del me pikë të plota nga përballja me Bajernin e Mynihut dhe njëkohësisht Kluzhi nuk mundet nga Bazeli.
Bajerni e ka siguruar kalimin e grupit dhe për të “blinduar” vendin e parë duhet edhe një pikë. Trajneri Luis van Gal nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Van Bomel, Robenin, Oliçin, Badshtyberin dhe Klosen, të gjithë të dëmtuar. Lajmi i mirë për trajnerin holandez është rikthimi pas një mungese të gjatë i francezit Riberi. Në kampin e Romës, rikthehen Huan, Pizarro, Adriano dhe Vuçiniç. Ky i fundit pritet të marrë një vend në formacionin titullar, ndërkohë që njëri mes Totit dhe Borrielos do të ulet në stol.
Takimi mes Bazelit dhe Kluzhit mund të jetë vendimtar në fatet e këtyre ekipeve për vendin e tretë që të çon në Ligën e Evropës. Të dyja skuadrat kanë nga tri pikë dhe zviceranët do të kërkojnë hakmarrje për humbjen 2-1 në ndeshjen e parë të luajtur në Rumani.
Totti në pankinë ndaj Bayernit?
Francesco Totti do t’ua lë vendin Jeremy Menezit, Mirko Vucinicit dhe Marco Boriellos në sulmin romak, kur Roma të përballet me Bayernin në Ligën e Kampionëve.
Il Corriere dello Sport shkruan se Claudio Ranieri ka preferuar që ta lë në pankinë kapitenin e tij për të vënë në fushë treshen e rrezikshme romake të përbërë nga Menez, Vucinic dhe Borriello.
Simplicio, Daniele De Rossi dhe Matteo Brighi do të paraqiten nga fillimi. Vendimi i Ranierit vjen për të ulur tensionet e mundshme në fushë nga Totti pas deklaratës së Van Gaal, i cili kritikoi asin romak.
Çelsi jashtë forme, ndaj Zilinës luan për kreun
Kryesuesit e Premier Ligës kanë siguruar kalimin e grupit, por forma e dobët e kohëve të fundit mund të rrisin presionin mbi trajnerin Karlo Ançeloti. Spartaku i Moskës pret Olimpikun e Marsejës.
Blutë e Londrës po kalojnë një formë të dobët së fundi, kur kanë humbur tre nga katër ndeshjet e fundit në kampionat dhe kanë patur ndryshime në stafin teknik. Ndihmës trajneri Rei Uilkins është shkarkuar dhe vendin e tij e ka marrë nigeriani Mikael Emenalo.
Sfida me Zilinën në “Stemford Bridxh” do të thotë shumë për kampionët e Anglisë, jo vetëm për të rritur besimin, por edhe për të marrë një pikë që do t’u siguronte vendin e parë në grupin F. Mesfushorët Esien dhe Zhirkov do t’i shtohen kapitenit Terri dhe Lampardit në listën e të dëmtuarve. Zilina i ka dhënë lamtumirën aventurës në Ligën e Kampionëve, teksa ende nuk e ka provuar shijen e pikës pas katër ndeshjeve të para.
Sfida tjetër e grupit F vë përballë Spartakun e Moskës dhe Olimpikun e Marsejës. Të dy ekipet kanë nga gjashtë pikë dhe luftojnë për vendin e dytë. Skuadra ruse e mundi Marsejën 1-0 në “Velodrom” dhe francezët kanë rastin më të mirë për treguar se humbja ishte vetëm një aksident.
Arsenali për kualifikim, Braga për moral
Një fitore ndaj portugezëve të Bragës do të ishte ilaçi i shërimit për Arsenalin, pas humbjes në derbin me Totenhemin të shtunën. Shaktjari luan në fushën e Partizanit të Beogradit.
Një tripikësh në Portugali do t’i siguronte skuadrës së Vengerit një vend mes 16 më të mirave të Evropës. “Topçinjtë” i mundën në mënyrë spektakolare 6-0 portugezët në ndeshjen e parë të luajtur në “Emirates Stadium”. Megjithë humbjen 2-1 në fushën e Shaktjarit në fillim të këtij muaji, Arsenali mban vendin e parë së bashku me ukrainasit, në kuotën e nëntë pikëve.
Trajnerit Arsen Venger pritet t’i rikthehet portieri Manuel Almunia dhe mesfushori Xhek Uilsher, ndërsa sulmuesi danez Niklas Bendtner pritet të jetë në fushë që nga minuta e parë. Në takimin tjetër të grupit H, Shaktjar Donjetsku do të luajë në fushën e Partizanit të Beogradit me synimin për të siguruar matematikisht kualifikimit. Kurse serbët do kërkojnë ta mbyllin me nder para tifozëve aventurën evropiane, e cila deri tani nuk i ka shpërblyer ende me pikë.
Allegri: Ndeshja ndaj Auxerre, vendimtare
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka deklaruar se ndeshja ndaj Auxerre është tejet e rëndësishme dhe vendimtare për kualifikimin e Milanit në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
“Auxerre do të luajë më ndryshe se sa në takimin tonë të parë. Ky ekip ka luajtur mirë, pasi që ta mposhtësh Ajaxin nuk është lehtë. Sonte ata duhet të fitojnë. Do të jetë një ndeshje me shumë intensitet dhe do të jetë vendimtare për pjesën e mbetur të Ligës së Kampionëve”.
“Ne duhet të fitojmë nëse dëshirojmë të ulim presionin para ndeshjes së fundit në San Siro ndaj Ajaxit. Ne do të luajmë lojë sulmuese. Ne kemi shumë lojtarë të lënduar por jam i kënaqur me skuadrën në dispozicion, ndërsa këta që do të përfshihen do të bëjnë edhe më shumë për një rezultat më të mirë”, deklaroi Allegri.