22 nëntor 2010

Del Neri vazhdon të shmangë fjalën “titull”

Pas fitores ndaj Xhenoas në “Marasi”, trajneri bardhezi thotë: Në këto momente nuk është një objektiv

Autoritar dhe cilësor në pjesën e parë, modest dhe i kujdesshëm në të dytën: një “koktejl” alla Juventus, që prodhoi fitoren 2-0 në “Marasi” ndaj Xhenoas dhe që i ka pëlqyer shumë trajnerit Xhixhi Del Neri: “Një ndeshje e shkëlqyer e Juventusit, që e interpretoi mirë atë, - shpjegon ai, - në fillim lejuam pak, duke konkretizuar rastet, pastaj nuk u treguam mendjemëdhenj kur Xhenoa ndryshoi fytyrë.

Skuadra po fiton besim të madh. Po punojmë mirë, me një mendësi të rëndësishme. Djemtë e mi ishin të zotë. Në pjesën e dytë u treguam shumë të kujdesshëm, me një aspekt taktik që shërben për të qenë protagonistë, - vazhdon analizën e tij tekniku bardhezi. - Me një gol Xhenoa mund të hapte ndeshjen. Publiku i tyre është një armë më shumë dhe fitorja këtu është një motiv krenarie”. Një fitore kaq e rëndësishme hedh kandidaturën e Juventusit për titullin: “Jemi ngjitur me të tjerët që po “udhëtojnë” mirë, - shton Del Neri.

- Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, pa krijuar ndonjë iluzion. Është një objektiv që mund të bëhet i vërtetë, por në këto momente jo”. Vendimtar për suksesin ishte rikthimi në fushë pas dëmtimit dhe goli i Krasiçit: “Ishte gati për të luajtur në minutën e 60-të, por zgjedhja u bë sepse besojmë tek cilësitë e tij”.

Që do të shërbejnë, sipas Del Nerit, edhe të amortizojnë telashet e ardhura nga dëmtimet: “Një sulmues në janar? Kemi një problem me Amaurin dhe lodhja e tre sulmuesve do të mbesë e dyfishtë. Mund të luhet me një sulmues në ndonjë ndeshje, duke pasur lojtarë krahu me cilësi të mëdha. Del Piero është gjithnjë gati, është një kapiten i vërtetë”.