Group E
Roma 3 - 2 Bayern Munich
Basel 1 - 0 CFR Cluj
Group F
Spartak Moscow 0 - 3 Marseille
Chelsea 2 - 1 Zilina
Group G
Ajax Amsterdam 0 - 4 Real Madrid
Auxerre 0 - 2 AC Milan
Group H
Braga 2 - 0 Arsenal
Partizan Belgrade 0 - 3 Shakhtar Donetsk
Ibra-Dinjo, Milani në 8-she; Reali “kap me shpulla” Ajaksin
Ibrahimoviç dhe Ronaldinjo i dhurojnë Milanit kualifikimin në grupin G, një ndeshje nga fundi. Reali turpëron Ajaksin në shtëpi dhe siguron vendin e parë.
Reali i pari, Milani i dyti: ky është verdikti i pesë përballjeve të para të grupit G në Ligën e Kampionëve. Kuqezinjtë nga Milano siguruan biletën e kualifikimit pas fitores 2-0 në transfertën me Okserin, e arritur në pjesën e dytë.
Pas gjysmës të parë të lojës me rrjeta të paprekura, ku vendasit shfaqen një skuadër kompakte dhe shpeshherë e rrezikshme, në të dytën shtatë herë kampionët e Evropës gjejnë ritmin e duhur duke ndëshkuar dy herë të zotët e shtëpisë.
Si përhërë që prej fillimit të këtij sezoni, ai që mendon për fatet e skuadrës së Alegrit është Zllatan Ibrahimoviç, vendimtar edhe në Ligën e Kampionëve. Në minutën e 64-t suedezi përfundon suksesshëm një askion të frymëzuar nga Sedorfi, duke thyer më në fund rezistencën e francezëve.
Alegri i jep Ronaldinjos pesë minutat e fundit të takimit dhe braziliani ia shpërblen duke shënuar golin e dytë në minutën e fundit të kohës së rregullt. Asi brazilian lëshon një diagonale të bukur me të majtën nga brenda zonës, pasi Robinjo kishte bërë gjithçka mirë në krahun e djathtë të sulmit.
Tetë pikë pas pesë ndeshjesh u mjaftojnë kuqezinjve për të siguruar një biltë mes 16 më të mirëve të Evropës, ndërkohë që Okseri (tre pikë) dhe Ajaksi (katër) do të vijojnë duelin e fundit në distancë për një vend në Ligën e Evropës. I pari e përfundon grupin G Reali i Madridit, aktualisht në kuotën e 13 pikëve.
Nëntë herë kampionët e Evropës nuk falën as Ajaksin, duke i shënuar katër herë në “Amsterdam Arena”. Serinë e golave e çeli Benzema në minutën e 36-të, për të vijuar me Arbeloan një minutë nga fundi i pjesës së parë. Fraksioni i dytë i takon Kristiano Ronaldos, që realizon dy herë në minutat 70’ dhe 81’ (me penallti).
Për t’u përmendur fakti që Reali e mbylli takimin me nëntë lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Serxho Ramosit dhe Ksabi Alonsos. Megjithatë këto mungesa nuk përbëjnë asnjë problem për ekipin e Mourinjos, duke qenë se takimi i radhës me Okserin në shtëpi do të jetë pak a shumë një ndeshje stërvitore.
Përmbysje e “çmendur”, Roma me një këmbë në 8-she
Falë një pjese të dytë spektakolare, Roma mund Bajernin 3-2 dhe tashmë ndodhet vetëm një pikë larg kualifikimit. Bazeli mposhti Kluzhin.
Në tapetin e “Olimpiko”-s u pa një Romë me dy fyryra: në gjysmën e parë të lojës bëri gjithçka për t’u mundur, ndrsa në të dytën bëri të pamundurën për të fituar. I fali kundërshtarit dy gola brenda gjashtë minutave (Gomez 34’ dhe 40’), kurse në fraksionin e dytë u shfaq e frikshme duke përmbysur disavantazhin në favorin e vet.
Goli i shpejtë i Borrielos që në minutën e katërt nga fillimi i pjesës së dytë u “hapi sytë” italianëve dhe i bëri të besojnë se kjo ndeshje e nisur në mënyrën më të keqe, mund të fitohej. Falë një talenti si Menez, frymëzues i aksioneve, skuadra verdhekuqe shënoi edhe dy herë të tjera me De Rosin (81’) dhe kapitenin Toti (85’ me penallti).
Ky sukses e ngjit Romën në kuotën e nëntë pikëve, tri më pak se Bajerni e po kaq më tepër se Bazeli që mundi 1-0 Kluzhin në Zvicër. Tashmë skuadra e Klaudio Ranierit është me një hap në fazën tjetër, pasi i mjafton edhe një barazim në transfertën me kampionët e Rumanisë.
Zilina për pak shtang Çelsin, Maluda shpëtimtar
Një gol i mesfushorit francez katër minuta nga fundi i dha fitoren 2-1 Çelsit në përballjen ndaj Zilinës në “Stemford Bridxh”. Londinezët të parët në grupin F.
Zilina rezultoi “aspirinë”, por në fakt gjërat mund të kishin shkuar keq për skuadrën e Karlo Ançelotit. Jo se do të rrezikonte kualifikimin (të cilin e kishte arritur që në ndeshjen e kaluar), ndërsa barazimi do të mjaftonte për ta mbajtur në vendin e parë në grup. Por për Drogbanë me shokë mund të kishte qenë një tjetër rezultat zhgënjyes pas tri humbjeve në katër ndeshjet e fundit në kampionat.
Skuadra e Ançelotit (për të cilin erërat që po fryjnë nuk janë fort të mbara kohët e fundit) djersiti tepër për të marrë një fitore në shtëpi kundër modestëve të Zilinës, të cilët për fill ia dolën të marrin pikën e parë në Ligën e Kampionëve. Suksesi për londinezët erdhi vetëm katër minuta nga fundi nga këmbët e francezit Maluda, pasi në të 51-tën Sturrixh pati barazuar avantazhin e Belos në minutën e 19-të.
Arsenali “rrëshqet” në Braga, Shaktjari i merr kreun
Arsenali pësoi humbje 2-0 në fushën e portugezëve të Bragës, duke humbur kryesimin në grupin H. Vendin e “Topçinjve” e merr Shaktjar Donjetsku, që fitoi 3-0 në fushën e Partizanit të Beogradit.
Një nga ndeshjet më të mërzitshme të këtij Championsi merr zgjidhje vetëm në dhjetë minutat e fundit. Dy golat e brazilianit Mateus i japin Sporting Bragës fitoren 2-0 përballë Arsenalit në shtëpi. Përveç ndeshjes dhe vendit të parë në grupin H, Arsen Venger humbet edhe dy lojtarë: kapitenin Fabregas që lë fushën e lojës për një problem muskulor dhe mbrojtësin Ebue për një dëmtim në kavilje.
Në minutën e 83-të, kur anglezët janë me dhjetë lojtarë pas daljes së francezit (tre zëvendësime ishin bërë), Mateus i shpëton pozicionit jashtë loje dhe i gjendur përballë portierit Fabianski, nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. “Topçinjtë nuk kanë fuqi të reagojnë dhe në aksionin e fundit, sërish Mateus dyfishon.
Pas pesë ndeshjesh, Arsenali mbetet në kuotën e nëntë pikëve (aq sa Braga), duke zbritur tashmë në vend të dytë në grupin H, pas Shaktjar Donjetskut. Kampionët e Ukrainës fituan 3-0 përballë Partizanit në Beograd dhe në takimin ndaj Bragës në shtëpi u mjafton një pikë për të siguruar biletën e kualifikimit. Ndërsa për serbët kjo ishte e pesta humbje në po kaq ndeshje, duke merituar vendin e fundit pa asnjë pikë.