Duket se "Juventus" e ka marrë shumë seriozisht transferimin e futbollistit shqiptar, Xherdan Shaqiri. Mediet italiane, por edhe ato zvicerane, i kanë kushtuar theks të veçantë kësaj çështjeje të mërkurën.
Sipas tyre, drejtori sportiv i Bianconerëve, Fabio Paratici, ka qëndruar në tribunë të martën mbrëma për ta përcjellë ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Baselit dhe Cluj. Arsye kryesore ishte talenti shqiptar, i cili i ka mahnitur udhëheqësit e gjigantit italian.
Madje, edhe një javë më parë në Gjenevë, 19 vjeçari nga Gjilani ishte vëzhguar nga skautë të Juventusit në kampionatin zviceran. Mediet zvicerane shkruajnë se Paratici ka mbetur i entuziazmuar me paraqitjen e Shaqirit.
Ueb faqja italiane calciomercato.com shton se drejtori sportiv i Juventusit, Giuseppe Marotta, po e shikon mundësinë që në një të ardhme të shpejtë t’i fillojë bisedimet me përfaqësuesit e futbollistit, pasi që e duan gjithsesi futbollistin në skuadrën e tyre gjatë janarit. Marotta e di mirë se Shaqirin e pëlqen edhe rivali Inter, kështu që preferon të bëjë presing për të mos mbetur duarthatë në janar.
Mirëpo, për Shaqirin interesim më konkret ka shfaqur Wolfsburg dhe gjiganti gjerman Bayern Munchen, zyrtarët e të cilit kanë mbetur të mahnitur me paraqitjet e 19 vjeçarit në Ligën e Kampionëve, por edhe me Kombëtaren zvicerane, që udhëhiqet nga gjermani Ottmar Hitzfeld.
Shaqiri ndiqet me kujdes edhe nga skuadra të tjera; Hamburg, Dortmund, Arsenal, Liverpool, Manchester United, PSV Eindhoven dhe Barcelona. Në bazë të raporteve të kohëve të fundit, Baseli e vlerëson Shaqirin rreth 10 milionë euro.