26 nëntor 2010

Felipe Melo: "Milani nuk na shkakton frikë!"

Torino (Itali)- Felipe Melo është padiskutim një prej udhëheqësve të mesfushës së Juventusit, që drejtohet nga Luixhi Del Neri. Mesfushori brazilian i bardhezinjve më në fund ka gjetur vazhdimësi në rendimentin e tij, gjë të cilën nuk kishte arritur ta kryente sezonin e shkuar dhe tashmë dëshiron të marrë kënaqësi të mëdha me fanelën bardhezi, të cilën e adhuron: "Me trajnerin Del Neri marrëdhënia është shumë e bukur, ai më pëlqen, është i sinqertë, ka pranuar Melo, duke folur për gazetën italiane "Tuttosport". Kam ndryshuar. Hyj në fushën e lojës dhe nuk bëj më veprime të gabuara, ndërhyrje të ashpra, zënka, gabime në pasime. Dhe mos pyesni nëse ky është Felipe Melo më i mirë, sepse unë nuk kënaqem asnjëherë nga paraqitjet e mia dhe kërkoj të përmirësohem akoma më shumë. Dëshiroj të rritem, gjithmonë e më shumë. Komentatorët televizivë? Ato sigurisht që nuk i duroj dot, por çfarë kërkonin nga unë sezonin e shkuar? Luaj tek Juventusi, luaj në skuadrën kombëtare, jam blerë për 25 milionë euro dhe ata kishin kritika për mua… Ndonjëherë duket sikur duhet të jesh Pele Melo për të kënaqur të tillë kritikët ziliqar! Është e mundshme që të isha skarco sezonin e shkuar? Tashmë vlerësohem për 35 milionë euro dhe gjithsesi gjërat kanë ndryshuar shumë në skuadrën tonë në krahasim me situatën që ekzistonte një vit më parë". Ish-mesfushori i Fiorentinës shpreson të zgjasë shumë shpejt kontratën dhe ka drejtuar objektivin e tij në kapjen e Milanit kryesues: "Nëse nesër presidenti vjen dhe më propozon një kontratë përjetë, dhe mbase edhe një rol në sektorin e të rinjve të Juventusit, unë do të firmosja menjëherë pa pasur asnjë dyshim! Edhe se, sigurisht, e dini shumë mirë sesa e rëndësishme është për mua familja: nevojat që do të kenë familjarët e mi do të jenë gjithmonë prioritet, ka shtuar më tej Felipe Melo. Milani? Këtu tek Juventusi sigurisht që nuk kemi frikë ndaj tyre. Përsa i përket Interit, ndërkohë, do të kemi probleme nëse do t'i shikojmë si një skuadër në vështirësi, mbeten rivalë shumë të frikshëm. Unë kam një dëshirë të çmendur për të fituar. Dhe shikoj që jemi duke u përmirësuar ndeshje pas ndeshje, kështu që… Një skuadër që ka mundur Milanin, siç kemi bërë ne, nuk duhet të vendosë limite".