
Bardhezinj, jini të bashkuar! Klub, skuadër dhe tifozë bashkohen në prag të sfidës së nesërme kundër Fiorentinës. Rast për të mos u humbur për t’i dhënë vazhdimësi fitores së bukur ndaj Xhenoas, për të arritur në “katet” më të larta të renditjes. Duke përfituar edhe nga dita e bukur me diell në Vinovo, presidenti Andrea Anjeli, i shoqëruar nga miku-këshilltar Pavel Nedved, ka ndjekur stërvitjen nga afër.
Numri një i Juves bisedoi gjatë me Del Nerin për të njohur edhe më mirë gjendjen e bardhezinjve para sfidës me “armiqtë” vjollcë. Një orë bisedë për të thënë diçka mbi të tashmen dhe për të caktuar objektivat e së ardhmes. Presidenti dhe trajneri ama ishin në shoqëri të mirë: 17 futbollistë të gatshëm për Del Nerin, një rekord dhe 300 tifozë të entuziazmuar në tribunat e vogla. Këtë vit në Vinovo nuk ishin parë kaq shumë njerëz.
Del Neri më në fund mund të eksperimentojë sesa i bukur është sikleti i zgjedhjeve. Pas dy muajsh emergjencë totale, me djemtë e skuadrës së të rinjve në shërbim të skuadrës së parë, infermieria po boshatiset. Kanë zbritur në shtatë lojtarët jo të gatshëm për “Zonjën”: Bufon, Rinaudo, De Çelje, Legrotalje, Martinez, Amauri e Grigera, me këtë të fundit që pritet t’i bashkohet shpejt grupit. Lajme të shkëlqyera edhe nga Akuilani, i cili e kaloi problemi në kofshën e djathtë dhe do të jetë gati kundër Fiorentinës.
“Far” i lojës dhe fatsjellës: që kur ish-romanisti luan titullar (Juve-Kaljari 4-2, 26 shtator), Juvja nuk ka humbur asnjëherë. Akuilani punoi me grupin, por pa zhvilluar ndeshjen stërvitore. I njëjti program edhe për Motën. Nesër do të jetë edhe Del Piero, ndonëse kapiteni qëndroi në palestër, pasi ishte me grip. Ky bollëk i pabesueshëm lojtarësh, do ta lejojë Del Nerin të bëjë ndonjë rotacion në prag të ndeshjes në Ligës së Europës, të enjten më 1 dhjetor në Poloni kundër Leh Poznanit, kur Sisoko e Del Piero do të thirren të zëvendësojnë Akuilanin e Kualjarelën, që janë jashtë listës së UEFA-s.