10 nëntor 2010

Del Piero, veterani më “top” në Europë

Dje kapiteni mbushi 36 vjeç dhe e festoi ditëlindjen mes rekordeve dhe pasionit për futbollin

Dje në mëngjes i vogli Tobias, që është 3 vjeç, e ka mjaft të qartë idenë e ditëlindjes me gjithçka që është e bukur, i është hedhur përsipër baba Alesandros për ta ururar. Ale Del Piero mbushi 36 vjeç dhe ka festuar më shumë me shokët sesa me familjen: stërvitje, nisja për në Breshia dhe sërish i grumbulluar për sfidën ndaj Romës të shtunën.

Ndeshja e 19-të sezonale për Juventusin dhe ndoshta e 19-ta për kapitenin, i vetmi lojtar i Xhixhi Del Nerit që ka zbritur në fushë në të gjitha takimet e luajtura deri tani. Ale ka thyer çdo rekord, por arritja e luajtjes të të gjitha ndeshjeve sezonale, në pamje të parë pa shumë rëndësi, është në të vërtet mjaft domethënëse.

Sepse me Del Nerin luan vetëm ai që e meriton. Dhe kush ironizon me dëmtimet e sulmuesve të tjerë, që shpesh i kanë bërë të detyruara zgjedhjet e trajnerit, duhet të nënvizojë një tjetër aspekt vendimtar: Del Piero stërvitet shumë mirë dhe është në formë. Ky është realiteti, një realitet me një shpjegim të saktë.

PUNA - Prej kohësh dihet klasi, talenti dhe teknika e këtij kampioni. Por ndoshta ka ardhur momenti për ta parë Del Pieron nga një tjetër prespektivë, duke vënë mënjanë atë që varet nga Nëna Natyrë dhe për t’u përqendruar te një tjetër faktor: puna. Ose më mirë, stërvitja dhe aspekti psikologjik i tij. Del Piero është një profesionist, nuk i lë asgjë rastësisë.

Prej disa vitesh jo vetëm që nuk ngurron të stërvitet me shokët, por bën edhe një punë të personalizuar që ideohet nga një staf i drejtuar nga Xhiovani Bonokore. Një kuriozitet, sa për t’i dhënë një ide profesionalizmit manjiakal të “Pinturikios”: deri pak kohë më parë, pjesa e personalizuar e stërvitjes ndiqej në një strukturë, të cilës i përgjigjeshin edhe skuadrat zinxhir të moshave bardhezi.

Tani ka një “lokal” të rezervuar për Del Pieron: kurimi i detajave më të vogla është vendimtar. Edhe stërvitja ka pa dyshim detaje të sakta. Një tjetër shembull: del Pieros nuk i kërkohet “të vrapojë shumë”, por të “zhvendoset mirë”. Mendojeni, është një ndryshim i madh. Një ndryshim që e lejon tashmë 36-vjeçarin të jetë në kohën e momentin e duhur në aksionin final dhe përballë mbrojtësve kundërshtarë të tregojë klasin e tij në zonën ku mund dhe duhet të bëjë ndryshimin.

ÇDO TRI DITË - Një nga dyshimet e mëdha verore ishte i lidhur me përkushtimet e ngjeshura: si ka mundësi një lojtar 36-vjeçar të luajë të luajë të enjten e të dielën? Beh, ka ndodhur shumë herë: Aleksi në Ligën e Europës ka qenë gjithnjë titullar dhe në ndeshjet pasardhëse në kampionat ka luajtur dy herë nga fillimi dhe dy herë në gjysmëorëshin e fundit.

Del Piero po punon shumë, në aspektin psikofizik, për të përmirësuar çerekorëshin e parë të ndeshjes, atë që sipas analizave të ndeshjes, lodhet më shumë. Rezultatet po fillojnë të duken. Aleksi sot mbush 36 vjeç me një ecuri rekord: vetëm 5 herë në 18 sezone kishte shënuar 6 gola para 9 nëntorit, në Leçe hyri në minutën e 78-të dhe shënoi katër minuta më pas. Një aspekt vendimtar, sepse ndodh që çerekorëshi i parë i Del Pieros koinçidon me të fundit të po kësaj ndeshjeje: momenti ku mund të bëhet diferenca me një të luajtur…

ASNJË SI AI - Deri tani, një ndeshje e Alesandro Del Pieros ka zgjatur me një mesatare prej 57-të minutash dhe ka shënuar një gol në çdo 171 minuta. Vetëm pesë herë (në 18 sezone), Del Piero e ka festuar ditëlindjen me gjashtë gola. Nuk ka në klubet e mëdha europiane futbollistë të tjerë mbi 35 vjeç që kanë shënuar kaq shumë dhe vetëm Nikolas Anelka dhe Didië Drogba (respektivisht 31 dhe 32 vjeç), kanë shënuar më shumë gola mes “over 30-të”.

Respektivisht 10 (3 në Premier, 2 në kupat kombëtare, 5 në Europë) dhe 7 me Çelsin (6 në Premier, 1 në Europë). Pra, një rini e dytë. Por nëse përcaktohet kështu do të ishte ndoshta e reduktuar: është fryti i punës së një kampioni të jashtëzakonshëm, që stërvitet me pasionin e një fëmije dhe me hijen e një futbollisti që kërkon të përmirësohet edhe më shumë. Në moshën 36-vjeçare.