Interi po rrënohet, Rafa Benitezi po shkatërron një perandori të ngritur nga Hoze Mourinjo dhe vetëm një valë e re e “Calciopolit” mund të jetë shpëtimi për skuadrën zikaltër.
Kjo është analiza që i bën kampionëve në fuqi ish-drejtuesi i Juventusit, Luçiano Moxhi. “Interi ka marrë fund. Krediti që mori nga ‘Calciopoli’ mbaroi”, pohoi Moxhi për “Gold TV”. “Sigurisht që është faji i Moratit, i cili zëvendësoi Mourinjon me Benitezin. Skuadra është shndërruar nga një armatë luftarake, në një turmë të dobët. Për të fituar sërish Morati ndoshta ka nevojë për një tjetër ‘Calciopoli’...”.
Sipas tij, nga shkatërrimi i zikaltërve do të përfitojë Juventusi, Milani dhe Roma. “Në Itali, ajo skuadër që ka Zllatan Ibrahimoviçim fiton”, shtoi Luçiano Moxhi, i cili nënvizoi se tashmë Roma ka dalë plotësisht nga kriza e fillimsezonit dhe ka fituar vetëbesim. Po Juventusi? “Po ec mirë, por të mendojë për titullin kampion do të ishte iluzion për tifozët”.