24 nëntor 2010
Akuilani: "Juventusi mori 3 pikë të rëndësishme në Xhenova"
Torino (Itali)- Edhe njëherë tjetër Alberto Akuilani ka udhëhequr në perfeksion mesfushën e Juventusit, që ka arritur të mundë të dielën në mesditë skuadrën e Xhenovas. Mesfushori ka kërkuar të zëvendësohet në fund të ndeshjes: "Kam ndjerë një problem muskular. Kishim në dispozicion një tjetër zëvendësim dhe kam kërkuar të dal për shqetësim". Në fushën e lojës, Akuilani duket se di shumë mirë se çfarë duhet të bëj: "Trajneri më kërkon gjëra shumë precize, unë përpiqem t'i kryej në fushën e lojës në mënyrën më të mirë. Ekziston besimi, ai ka besim tek unë dhe kur ka besim, unë arrij të luaj mirë dhe të tregoj cilësitë e mia". Jeni edhe ju në garën për titullin kampion? "Po, kjo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme, fondamentale, 3 pikë të rëndësishme që do të ndihen shumë. Ne për të qëndruar në nivele të larta duhet të fitojmë në këto fusha. Jam i sinqertë, jemi një skuadër e mirë, një skuadër që duhet të qëndrojë në majat e kampionatit italian. Tashmë është e gabuar të flitet për titullin kampion, sepse skuadrat e tjera kanë diçka më shumë, por ndërkohë ne jemi aty gati për të përfituar në çdo moment". Trajnerin Xhixhi Del Neri e kishte njohur kohë më parë tek Roma: "Viti i Del Nerit ka qenë një vit i vështirë për ne dhe për të, tashmë është një trajner i ndryshëm, ka edhe një skuadër të ndryshme që e ndjek 100%, tek Roma, mbase ka paguar ai për ne". Felipe Melo ka të njëjtat karakteristika me Emerson? "Po ngjajnë shumë, kanë të njëjtën forcë fizike". Sezonin e shkuar tek Liverpuli jeni stërvitur me Stiven Xherard, i keni marrë diçka? "Do të isha i lumtur, sepse ai është një lojtar i madh, një ndër më të mirët në rolin e tij, sigurisht, duke e parë çdo ditë në stërvitje diçka i kam vjedhur, por pastaj është e vështirë mbase ta tregosh në fushën e lojës. Kam mësuar shumë prej një lojtari të madh si Stiven". Por, trajneri i tij në sezonin e shkuar, Rafa Benitez, është duke hasur vështirësi të mëdha tek Interi: "Mendoj që, pas një viti kaq të rëndësishëm nga ana e Interit, me një figurë karizmatike si Hoze Murinjo, është normale që të bëj diçka më pak se ai. Duhet ta lënë të punojë në qetësi, sepse sigurisht do të arrijë të nxjerrë më të mirën e asaj skuadre. E kam njohur shumë mirë, është një trajner i zoti, një person pozitiv, sigurisht që do të arrijë gjëra të mëdha me atë skuadër". Një ditë pas fitores në transfertën e Xhenovas, në shtëpinë bardhezi është një ditë pushimi në pritje për t'u kthyer tek stërvitja. Ekziston një shqetësim për Akuilanin që ka ndjerë disa shqetësime pas ndeshjes, por edhe shumë entuziazëm për tre pikët e rëndësishme për të vazhduar ndjekjen e pozicioneve të para.