Mbrojtësi italian ka nënshkruar sot një marrëveshje të re që e mban të lidhur me Juventusin deri në vitin 2015. Kielini do të përfitojë 3,5 milionë euro në sezon, përveç shtesave në varësi të rendimentit.
Lajmi u bë i ditur nga klubi bardhezi mbrëmjen e së martës, përmes një njoftimi zyrtar në faqen e internetit. Menjëherë pas nënshkrimit, Kielini u shpreh i kënaqur dhe entuziast, duke theksuar se me Juventusin shpreson të arrijë suksese të mëdha. “Kjo është skuadra ime, prej së cilës dua të marr kënaqësi dhe të fitoj trofe të rëndësishëm”, pohoi qendërmbrojtësi.
“Falënderoj klubin për besimin që tregoi me dëshirën për ta vazhduar këtë marrëdhënie me mua. Dua dhe shpresoj të bëhem flamuri i kësaj skuadre në vitet e ardhshme. Torino është shtëpia ime, më pëlqen shumë dhe ndjehem mirë. Shpresoj të fitojmë së shpejti”, shtoi ai.
Entuziast u shpreh edhe drejtori teknik i “Zonjës”, Bepe Marota. “Kielini është një lojtar i rëndësishëm - pohoi drejtuesi bardhezi pas nënshkrimit -. Përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e Juventusit. Rinovimi është një shenjë që tregon dashurinë e tij për këtë fanellë, kurse nga ana jonë një shprehje e vullnetit për të ndërtuar prej tani e në vitet e ardhshme një skuadër të fortë, me lojtarë të mëdhenj si Xhorxho”.