Emmanuel Adebayor nuk do të qëndrojë gjatë në Manchester City. Sulmuesi togolez, i transferuar te Citizensi nga Arsenali, para dy sezonesh, ka paralajmëruar se mund të largohet gjatë janarit, pasi që nuk ka marrëdhënie të mira me trajnerin italian, Roberto Mancini.
“Nuk e di se çfarë të keqeje i kam bërë Mancinit që nuk ma jep mundësinë të luaj. Për këtë, në Manchester nuk mund të rri. Do të pres deri në dhjetor apo në janar, për t’u larguar. Mund vetëm t’ju them se klubi im ka arritur një marrëveshje me Juventusin për një huazim timin”, ka thënë për të përditshmen belge, Sport Foot Magazine përmes telefonit sulmuesi shtatgjatë.
Por, për ta transferuar futbollistin afrikan, ekipi Bianconer duhet ta largojë një futbollist që nuk është pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, pasi e ka të mbushur limitin.
Togolezi ishte protagonist absolut në sulmin e “Topçinjve” pas largimit të Thierry Henrys, por ai përfundoi si rezervist i pashkoqitur në Cityn e sheikëve arabë, të cilët kishin shpenzuar para të majme për të.
Për Adebayor, destinacioni i mundshëm mund të jetë edhe Real Madridi, sepse trajneri Jose Mourinho nuk është dhe aq i bindur me kualitetet e francezit, Karim Benzema.