Seria e dëmtimeve nuk ka të ndalur për skuadrën e Del Nerit. Vetëm pak ditë pas rikthimit, sulmuesi Amauri ka pësuar një dëmtim në gju që pritet ta mbajë jashtë për rreth dy muaj.
Amauri u detyrua ta lërë përgjysmë minindeshjen stërvitore ditën e djeshme, pas një problemi në gjurin e majtë. Analizat e zhvilluara paraditen e sotme konstatuan një dëmtim më të rëndë nga sa parashikohej në fillim. “Amauri ka pësuar një dëmtim në ligamentin e brendshëm të gjurit të majtë”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit nga Torino.
Kjo është një goditje e rëndë për klubin, por sidomos për vetë italo-brazilianin që e ka nisur keq sezonin e ri: shumë dëmtime e pak gola. Viti 2010 merr fund këtu për ish-sulmuesin e Palermos, ndërkohë që mungesat në repartin e avancuar mund t’i detyrojnë drejtuesit e “Zonjës” të ndërhyjnë në merkaton e janarit. Përfliten emrat e Benzemasë dhe Maksi Lopezit, por ky i fundit duket më i favorizuar.
Viti i mbrapshtë për Amaurin filloi me një tërheqje të shkallës së parë në kofshën e majtë në gusht, në takimin kundër Shturm Gracit në Ligën e Evropës. Më pas dëmtimi në kaviljen e djathtë në përballjen kundër Kaljarit në muajin shtator, ndërsa një muaj më pas u detyrua të lërë fushën e lojës pas 20 minutash gjatë takimit me Bolonjën. Shkak u bë dhimbja që ndjeu në tendinën e Akilit në këmbën e majtë. Së fundi, Amauri u la jashtë ndeshjes me Breshian për shkak të gjendjes gripale. Ndërkaq, dëmtimi në gju e lë jashtë lojtarin të paktën deri në fillim të janarit. Numrat flasin vetë: vetëm 12 ndeshje dhe 3 gola.