25 nëntor 2010

Del Piero rekord besnikërie ndaj Juventusit: "Një krenari për mua"


Torino - Të shtunën kundër Fiorentinës kapiteni bardhezi do të bëhet lojtari që ka luajtur më gjatë për Zonjën e Vjetër, duke kaluar Karlo Bigatin. Është një Alesandro Del Piero i karikuar në maksimum, ai që nga faqja e tij zyrtare në internet, ka analizuar momentin e Juventusit 'të tij' dhe ka folur për sfidat e ardhshme që presin skuadrën bardhezi. Fitorja kundër Xhenovas fundjavën e shkuar i ka dhënë akoma edhe më shumë bindje një grupi që, sipas kapitenit juventin, do t'i krijojë vështirësi të mëdha të gjithë konkurrentëve për suksesin në Serinë A. "Jemi kthyer nga Marasi me moralin e lartë pas një fitoreje shumë të rëndësishme për klasifikimin, për të mbajtur ritmin e skuadrave që janë përpara nesh, në mënyrë që të mos krijojnë distanca të mëdha dhe mbi të gjitha për t'u bindur akoma më shumë tek forca jonë, shpjegon Del Piero. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e ardhshme kundër Fiorentinës, duke ditur që do të jetë një betejë e radhës, aspak e lehtë për t'u kaluar për skuadrën tonë". Ndeshja kundër Fiorentinës do të ketë një shije të veçantë për numrin 10 bardhezi: një tjetër rekord 'besnikërie' ndaj Zonjës së Vjetër. "Të shtunën e ardhshme do të hyj në Olimpiko si lojtari me më shumë kohë zgjatje në historinë e Juventusit, një kënaqësi shumë e bukur dhe mbi të gjitha dëshmia e një besnikërie absolute, për të cilën jam shumë krenar, rrëfehet Aleks Del Piero. Kam arritur këtë rekord, duke kaluar edhe Karlo Bigatin, që ka qëndruar tek Juventusi nga 12 tetori 1913 deri në 21 dhjetor 1930, kështu pra. shtatëmbëdhjetë vite e dy muaj dhe nëntë ditë. Nga dje, jam përpara një ditë, dhe tashmë vazhdoj të eci përpara…". Numra të rëndësishëm që Del Piero, ndërkohë dëshiron ti fitojë si protagonist. "Kam filluar në 12 shtator 1993, kam parë shumë, por nuk më kishte ndodhur asnjëherë të arrij një rekord, duke qëndruar ulur në bankinë!- përfundon Del Piero komentin e tij. Le të themi që ka qenë më e lehtë se zakonisht… Por, tashmë jam plotësisht gati për të arritur objektiva të tjerë të rëndësishëm në fushën e lojës!".