Pas një ndarjeje disamujore Juventusi dhe Xhixhi Bufon janë rigjetur dje. Portieri i kombëtares së Italisë është rikthyer të stërvitet në Vinovo, në orare të ndryshme në krahasim me shokët e skuadrës, por mund të kalojë drekën me skuadrën dhe mbi të gjitha me trajnerin e ri Xhixhi Del Neri, me të cilin marrëdhënia nuk ka nisur në mënyrën më të mirë.
Thumbime, fjalë gjysëm të thëna se dhe ajo ndjesi që Xhixhi, në janar, mund të dojë t’i japë lamtumirën Juventusit. Ose edhe që drejtuesit bardhezi të vendosin të heqin dorë nga lojtarët simbol të ekipit. Nga Anglia, vazhdojnë të ndjekin me vëmendje situatën e numrit një të Juves. Mançester Junajtid mbi të gjitha vazhdon kërkimet për zëvendësuesin e Van der Sarit, tashmë 40 vjeç. Ferguson do të marrë në janar danezin Lidegard, 26-vjeçar, por që duket se do të ketë rolin e portierit të dytë.
Objektivat për periudhën pas Van der Sarit janë spanjolli De Gea i Atletikos së Madridit, Manuel Nojer i Shalkes dhe natyrisht Xhixhi Bufon, “fiksim” i vjetër i Fergusonit. Juventusi, ndryshe nga vitet e tjerë, duket se është i interesuar për të dëgjuar ofertat që mund të vijnë: Storari po bën një paraqitje të mirë, pëlqehet nga Del Neri dhe ofron shumë garanci; rroga e Bufonit, 6,5 milionë euro në vit, është një barrë e madhe për bilancin e bardhezinjve; por mbi të gjitha “Zonja e Vjetër” mund të jetë e interesuar për kundëroferta teknike nga Sër Aleks.
Në veçanti përmendet emri i Dimitar Berbatov, 29 vjeç, qendërsulmuesi bullgar. Një shkëmbim Bufon-Berbatov mund t’i bëjë qejfin të gjithëve: Junajtid do të kishte më në fund një portier që ofron siguri, Juventusi do të merrte në shtëpi një sulmues të nivelit të parë.