Tekniku bardhezi synon për “më lart”, por me blerje në janar. Maksi Lopez, objektivi numër një
Sintezën më efikase e bëri Sinisha Mihajlloviç: “Diferenca mes Milanit dhe Juventusit, është Ibrahimoviç”. Në tetë ditë Fiorentina luajti kundër skuadrave të Alegrit e Del Nerit dhe duke parë rezultatin e të dyja ndeshjeve, dalin të dhëna të rëndësishme: me vjollcët Juvja goditi në portë më shumë sesa Milani (9 herë në portë dhe 9 jashtë kundrejt 5 finalizimeve mes shtyllave dhe 7 jashtë të kuqezinjve) dhe pësoi aq sa Milani (3 goditje në portë dhe 5 jashtë kundrejt 7 në kuadrat dhe 1 jashtë), me ndryshimin që Storarit iu desh të priste vetëm një herë në minutën e 95-të, ndërsa Abiati ishte më i miri në fushë.
Nga ana tjetër, kush blen Ibrën e di që ka në ekip njeriun që zgjidh ndeshjet e ekuilbruara. Kush nuk e ka, kërkon rrugë të tjera dhe Juventusi i ka gjetur shpesh. Por kur nuk ka ndodhur ama, e ka ngadalësuar ritmin.
REFLEKTIME - Të shtunën në mbrëmje Xhiorxhio Kielini analizoi situatën, duke bërë një krahasim me Milanin: “Kush do të qëndrojë pas kreut, duhet t’i fillojë ndeshjet me një tjetër shpirt. Në 30-të minutat e para me Fiorentinën nuk luajtëm siç duhet. Një javë më parë Milani luajti dobët, por gjithsesi e mundi Fiorentinën”. Simone Pepe, autor i golit të shkëlqyer të barazimit, tregon dëshirën për të fituar që ekziston në skuadrën bardhezi.
“Kur pashë që topi hyri në rrjetë, thashë me vete të festojmë shpejt dhe të provojmë të fitojmë. Është akoma shpejt për të folur për titullin, por duhet të mendojmë si një skuadër e madhe”. Dhe Xhixhi Del Neri transmeton optimizëm: “Besoj akoma më lart te titulli. Renditja më intereson në maj: Roma vitin e shkuar ishte -14 pikë dhe iu afrua titullit. Nëse ruajmë këtë mendësi, kemi një të ardhme në kampionat, - shpjegon Del Neri.
MAKSI QENDËRSULMUES - Dhjetë rezultatet pozitive radhazi në kampionat, pra janë baza. Hapi cilësor do të bëhet kur Juventusi të fitojë ndeshjet e ekuilibruara ose ato në të cilat nuk luan mirë. Për t’ia dalë, duhet, nëse jo Ibrahimoviç, një qendërsulmues, i cili nga janari në maj, të shënojë gola me peshë. Mes emrave më të mundshëm (Benzema, Forlan, Matri), spikat Maksi Lopez, që ka shumë adhurues në skuadër, është i ri (26 vjeç), por me përvojë (ka luajtur te Barcelona).
Sulmuesi i Katanias, duke iu përgjigjur një pyetjeje të shtypit argjentinas, nuk fshihet: “Juvja? Duhet të flas në fillim me klubin. Unë sot jam mirë te Katania, por është normale që një lojtar ka ambicie dhe kjo mundësohet vetëm në klube të mëdha. Nëse do të vijë ndonjë ofertë, do t’i takojë klubit të vendosë të ardhmen time”. Dhe ndërsa trajneri i Katanias, Marko Xhiampaolo pret (”Shpresoj të qëndrojë”), Juvja reflekton. Për titullin duhet një “Maksi” qendërsulmues. Që mund të jetë pikërisht Lopez?