10 nëntor 2010

Del Piero 36 vjeç, ëndrra vazhdon


Kapiteni dhe simboli i Juventusit, Alesandro Del Piero ka mbushur dje plot 36 vjeç. Janë vite të mbushura me gëzime, hidhërime, sfida, pasion dhe mbi të gjitha dëshirë për të vazhduar dhe të mos ndalur. Ashtu siç thuhet në këto raste, Del Piero nuk po i ndien vitet që ka mbi supe. “Pinturikio” është një lojtar unik, një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë. Një futbollist që ka mundur të rrëmbejë duartokritjet jo vetëm nga tifozët e vet, por dhe nga kundërshtarët. Dy vite më parë gjithë “Santiago Bernabeu” u ngrit në këmbë për ta duartokritur, pas një dy golëshi dhe një loje të bukur që zhvilloi ndaj Realit. Janë pikërisht këto momente, që për një lojtar mbeten përherë në memorie. Numrat e tij në futboll janë thjesht të paaritshme. 650 ndeshje të luajtura me Juventusin, (98 më shumë se një prej legjendave të klubit, Gaetano Shirea) 279 gola të shënuar (plotë 100 më shumë se një prej simboleve më të mëdha të Juventusit, Xhampiero Boniperti). Janë shifra që Del Piero kërkon t’i shtyjë më tutje. Jo sepse është i fiksuar pas tyre, po sepse dëshira dhe pasioni i tij për të vazhduar në futboll janë më të mëdha se kufizimi që mund t’i vijë pikërisht nga mosha. Del Piero vazhdon që të jetë përcaktues për Juventusin, duke shënuar me vazhdimësi. Këtë sezon ai ka shënuar 7 herë, katër në Ligën e Europës dhe tre në kampionat. Në Europë madje është lojtari më i vjetër që shënon në vazhdimësi dhe në këto shifra. Por, përveç golave, ajo që ka rëndësi është niveli i lojës së shfaqur nga Del Piero, e cila vazhdon të jetë e njëjtë. Është e vërtetë që ka humbur shpejtësinë, por këtë e zëvendëson fare mirë me teknikën dhe finesën në lojë, për të mos harruar gjuajtjet e tij, të cilat janë gjithmonë të rrezikshme, pavarësisht distancës. Në fund të këtij sezoni kontrata e tij me Juventusin skadon. Deri më tani klubi nuk ka bërë ndonjë hap për rinovimin. Por ëndrra e tij është të luajë në stadiumin e ri të bardhezinjve, i cili do të vihet në punë sezonin e ardhshëm. Del Piero është i bindur se do ta realizojë këtë ëndërr dhe po bën maksimumin në fushë për ta arritur këtë. Nëse vazhdon me këtë ritëm, drejtuesit e klubit do ta kenë të vështirë që t’ja mohojnë rinovimin e kontratës. Sepse pavarësisht moshës, ajo që ka rëndësi është paraqitja. Dhe paraqitjet e Del Pieros në fushë nuk janë të një lojtari që ka marrë fund, por një lojtari që vazhdon të ndriçojë kampionatin dhe futbollin italian, i cili në këto kohë të vështira ka nevojë për më shumë se kurrë. Del Piero kërkon të luajë edhe dy vite të tjera dhe mendohet se Juventusi minimalisht do t’i ofrojë edhe një vit kontratë. Një gjë është e sigurtë. Del Piero, si një luftëtar i vërtetë, nuk heq dorë nga ëndrrat e tij. Dhe ëndrra e tij nuk mund të marrë fund këtu. Do të ishte e padrejtë për një lojtar që u ka dhuruar gëzime dhe emocione miliona tifozëve. Ai nuk ka hequr dorë kurrë nga Juventusi, edhe kur ekipi u rrëzua në Serinë B. Një gjë të tillë zor se do ta bënte edhe Juventusi. Jo për mirënjohje. Por sepse ka nevojë për magjitë e tij dhe për faktin se ende nuk ka gjendur një zëvendësues të denjë për të. Shumë besojnë se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë...