Trajneri i Fiorentinës ka karikuar skuadrën në pritje të ndeshjes me Juventusin
Sinisha Mihajlloviç e di mirë se si fitohet në fushën e Juves. 20 dhjetorin e kaluar tekniku serb, në drejtim të Katanias, ka fituar 2-1 kundër skuadrës së drejtuar nga Ferrara duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme për qëndrimin në Serinë A në një fushë totalisht të ngrirë. Tani që ndodhet te stoli i Fiorentinës, shpresa është të replikojë arritjen të shtunën në mbrëmje:
“Kisha pak kohë që kisha kaluar te Katania dhe në ndeshjen e parë kam humbur në shtëpi me Livornon, - ka kujtuar Mihajlloviç. - Gjatë darkës tradicionale të Krishtlindjes i ka folur skuadrës administratori i deleguar Lo Monako dhe i është referuar ndeshjes me Bolonjën që duhej të zhvillohej pas pushimeve të dimrit. Unë e kam ndërprerë, duke i thënë se në fillim është Juventusi, ku do të shkojmë në Torino për të fituar, duke iu drejtuar lojtarëve.
Nuk doja që të jepej mesazhi i gabuar, sikur të ishim dorëzuar para kohe. Në Torino kemi bërë një ndeshje të madhe. Me Fiorentinën do të kërkoj të shkoj atje për të fituar. Premtimet e mia? Nëpërmjet shtypit unë i çoj mesazhe skuadrës time. Keni dëgjuar ndonjëherë një trajner të thotë se luan për të humbur? Unë nuk do të them kurrë as se luaj për të barazuar”.
Mihajlloviç nuk i ka fshehur ambiciet e tij, edhe pse përballë do të jetë një skuadër në formë shumë të mirë si Juventusi i Del Nerit: “Eshtë një skuadër e organizuar, kompakte si të gjithë skuadrat e drejtuara nga Del Neri. Ka sulmin më të mirë të kampionatit, është në formë, - ka shpjeguar tekniku serb. - Por çdo ndeshje duhet luajtur, kjo është e rëndësishme, por akoma jothelbësore. E dimë se mund të na vënë në vështirësi, por edhe ne mund të themi fjalën tonë. Juvja për titull? Mund të jetë.
Ndoshta Milani dhe Interi kanë pak më shumë cilësi individuale që mund të vendosin një ndeshje, por si organizim dhe si skuadër Juventusi është superior. Unë te Juvja një ditë? Të gjithë do të donin të luanin ose të drejtonin një skuadër të tillë. Por dua të shtoj se asnjëherë nuk do të kisha shkuar te Juventusi i Moxhit. Ndërsa kjo tani është një gjë totalisht e ndryshme. Më pëlqen presidenti i tyre, më pëlqejnë Marota dhe Paratiçi, më pas është edhe Nedvedi”, ka përfunduar Mihajlloviç.