Mesfushori brazilian i ka bindur tifozët me lojën e tij, por edhe e pranon: Nuk jemi akoma për titull
Tani skuadra po fiton dhe po paraqitet mirë, vitin që kaloi nuk di ç’të them, por kur grupi ecën mirë, gjërat përmirësohen për të gjithë”. Felipe Melo është ndoshta fytyra më emblematike e Juventusit të ri të Xhixhi Del Nerit: i kritikuar në sezonin e fundit, i duartrokitur dhe i lavdëruar nga tifozët në këtë fillim të kampionatit.
“Dua të bëhem një idhull për tifozët tanë, - pohon mesfushori brazilian, më pëlqen të dal nga fusha teksa t’i dëgjoj dhe të më inkurajojnë. Në rrugë njerëzit më ndalojnë dhe më përgëzojnë. Më pëlqen kur dal xhiro në qytet, më thonë fjalë të mira. Është diçka shumë e bukur”.
NDRYSHIMI - Lojtari juventin shpjegon ndryshimin me sezonin e shkuar: “Këtë vit skuadra fiton, gjë që nuk e bënte vjet. Unë jam edhe më i qetë, marr më pak kartonë të verdhë, bëj më pak ndërhyrje të rënda se vjet. Janë gjëra normale në të vërtetë, por në jetën e një futbollisti ndikojnë si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Pastaj unë mendoj se njeriu gjithnjë ndryshon, sidomos kur kalon ndonjë përvojë të keqe”.
ËNDRRA BRAZIL - Megjithatë, Botërori i shëmtuar nuk e ka demoraliuar: “Me paraqitjet e mira te Juventusi dua të rigjej edhe kombëtaren, - nënvizon Melo. - Është një shtysë më shumë për të dhënë maksimumin”. Në ndihmë të tij është edhe shoku i ri i repartit, Alberto Akuilani, lojtari cilësor që ndoshta i mungonte Juventusit prej kohësh.
“Është një futbollist i madh, - vazhdon Melo për ish-romanistin, - por unë dua të flas për grupin në tërësi, për të gjithë mesfushën. Për Markizion e Sisokon po ashtu: më pëlqen të kem në krahun tim kampionë si ata. Albertoja më kujton shumë Montolivon, me të cilin kam luajtur në Firence. Markizio është i shpejtë kurse Sisoko shumë i fortë fizikisht”.
TITULLI I VËSHTIRË - Felipe Melo nuk kërkon të flasë për titullin. “Nuk jemi akoma gati, duhet të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të jemi realistë. Milani dhe Interi janë një shkallë sipër nesh, në shkurt ose në mars do të vlerësojmë nëse do të jemi për titull ose jo. Për momentin jemi të kufizuar të arsyetojmë ndeshje pas ndeshjeje. Sigurisht jemi në rrugën e duhur dhe nëse ruajmë këtë nivel në sezonin e ardhshëm atëherë është e drejtë të ëndërrojmë për titullin”.
AMAURI NË DYSHIM - Për sfidën në “Marasi” kundër Xhenoas për ndeshjes e mesditës, mund të mungojë Amauri, i cili pati një problem gjatë stërvitjes së djeshme në mëngjes. Sulmuesi e la para kohe ndeshjen stërvitore për shkak të një problemi në gju. Sot pritet dhe përgjigja e analizave mjekësore, të cilave iu nënshtrua lojtari”. Ndërkohë, Komiteti i Analizave për Sigurinë e Veprimtarive Sportive, ka vendosur t’u mohojë tifozëve të Fiorentinës mundësinë e pjesëmarrjes në stadium kundër Juventusit e programuar për më 27 nëntor. Rezidentët në Toskanë nuk mund të blejnë bileta.