Felipe Melo e krahason me milanistin, por edhe të tjerët e ngrejnë në qiell. Serbi: Të mos ndalemi këtu
Kthehet Krasiç, kthehet entuziazmi dhe kthehen tri pikët. “Është Ibra i Juves”, - thotë Felipe Melo. “E çan ndeshjen më dysh, është njeriu që i ndryshon hapin Juves”, - vazhdon Akuilani. Për Storarin, “është thjesht i jashtëzakonshëm”, ndërsa Marota është krenar për një investim sigurisht të rëndësishëm, për një “kampion të vërtetë, që ngre aspektin cilësor të skuadrës. Juvja nuk është vetëm një lojtar, por Krasiç është fantastik.
Edhe kundërshtarët kanë nisur ta kenë frikë seriozisht, përfshirë dhe tifozët”. Drejtori i Përgjithshëm u referohet vërshëllimave që shoqëruan serbin që në minutat e para. Në të vërtet, një “reagim” që erdhi si pasojë e një rënieje të serbit pas një ndërhyrjeje të Krishitos: faull sipas Milloshit; simulim për gjithë “Marasin”.
“Shpresoj vetëm që djaloshi të mos shënjestrohet për atë që nuk është”, - vazhdon Marota. Krasiç ndërkohë feston: “Është një gol që e bën akoma më të bukur rikthimin tim. Tri pikë të rëndësishme në një fushë tradicionalisht të vështirë. Por nuk mund të ndalojmë, për të arritur sa më lart duhet vetëm të punojmë”.
Juventusi i Del Nerit stacionohet gjithnjë e më në frekuenca të larta të renditjes dhe fitorja e rëndësishme në fushën e Xhenoas, ka dhuruar siguri të reja. Befason para së gjithash vazhdimësia e rendimentit të Felipe Melos, i shndërruar një nga liderët e mesfushës bardhezi pas një sezoni të dobët: “Jam i kënaqur nga reparti ynë, jemi të gjithë kampionë, - tregon braziliani.
- Unë lider? Pagova atë që ndodhi vitin e shkuar, por kam qenë gjithnjë në lider në skuadrat e mia të mëparshme dhe këtu duhet të ndodhë e njëjta gjë. Kemi ndër mend që të jemi protagonistë këtë vit. Unë dua të fitoj titullin, pa dyshim, por skuadrat e tjera janë më të mira: duhet të jemi realistë dhe të pranojmë që Interi e Milani mbeten një shkallë mbi ne.
Nuk jemi akoma gati, por duke vazhduar kështu… Pa dyshim Juvja është ngjitur pas kreut dhe do të qëndrojë aty duke u përpjekur deri në fund. Jemi në garë për titullin. Krasiç? Është Ibrahimoviçi ynë, që mes të tjerash është edhe idhulli im”. Mes dy shtyllave po konfirmohet një siguri, Marko Storari: “Bufon është një portier i madh, që nuk më lejon të diskutoj, por nëse unë u bleva nga Juve, një arsye ekziston, - shpjegoi portieri bardhezi.
Kur isha te Milani, kishte nga ata që thonin se nuk isha në lartësinë për të luajtur në një klub të madh dhe më dërguan te Sampi, ku vleja jo pak. Tani te Juvja po tregoj që mund ta bëj mirë punën time. Mendimet e tjera nuk më prekin. Nuk duhet të zhgënjej ata që besojnë tek unë dhe kush më ka dhënë besim. Titulli? Duhet të përpiqemi t’i mbajmë këmbët në tokë dhe të mos kapemi nga entuziazmi. Por e rëndësishme është që shpirti i garës me të cilin zbresim në fushë, të qëndrojë po ky edhe në ndeshjet e ardhshme”.