Edhe trajneri i Romës ka shprehur pakënaqësitë e tij kundrejt arbitrit Ricoli
Histori romanësh. Njerëz që në natën e Torinos kanë kaluar me zemërim ose nostalgji pjesë të së kaluarës për të menduar për të ardhmen. Eshtë kapiten Toti, që ka pritur pikërisht rivalin e vjetër Juventusin për të shënuar golin e tij të parë në kampionat, i 139-i në karrierën e tij në Serinë A, duke heshtur juventinët që e kanë ofenduar gjatë gjithë ndeshjes dhe duke u rikthyer në ndjekje të atij Robi Baxhios (i 5-i) që qëndron para tij në renditjen e golashënuesve më të mirë italianë të të gjitha kohërave në kampionatin italian.
Janë Pepe dhe Storari, që nga Roma kanë kujtime të mira dhe të këqia. Eshtë De Rosi, që ka rigjetur “binjakun” e vjetër Akuilanin, duke menduar me malinkoni për atë mesfushë verdhekuqe të lindur dhe të vdekur në pak vite. Janë Greko dhe Rozi, në ndjekje të një të ardhmeje me fanellën e Romës dhe në fund është Ranieri, një ish që në Torino e kanë vlerësuar shumë vonë.
“Mund të kishim fituar, - ka thënë trajneri i Romës, - i kemi krijuar probleme Juves, por nuk kemi goditur në momentin e duhur. Ne kemi kontrolluar ndeshjen, por duhej të kishim qenë më të saktë në veprimet tona. Borrielo? Kur është aktivizuar nuk e kemi shërbyer si duhej, lojtarët e mi më të mirë ishin të lodhur. E kam lënë Markon në stol për të bërë rotacion në sulm, por është i vetmi që arrin të mbajë lart skuadrën dhe të jetë i pranishëm në zonën e rreptësisë së kundërshtarit.
Nëse në pjesën e parë ai do të kishte qenë në fushë gjatë një pasimi të dhënë nga Menez, do të kishte shënuar siç ka bërë kundër Fiorentinës. Por grupi është i shëndetshëm, ekzistonte rreziku të çonim dëm një sezon të tërë siç ka ndodhur dy vite më parë”, ka thënë Ranieri, i cili nuk ka qenë i kënaqur me arbitrin Ricoli. “Nuk flas për penalltinë që nuk i është dhënë Meksesit, por nuk e kuptoj pse Ricoli i ka dhënë kartonin e verdhë Menezit në faullin e parë dhe menjëherë më pas nuk ka bërë të njëjtën gjë me Felipe Melon ndaj Totit”, ka përfunduar Ranieri.