Në ditët para ndeshjes Alberto Akuilani ka qëndruar në heshtje. Të gjithë imagjinonin se Juventus-Roma nuk do të kishte qenë një ndeshje si të tjerat për të. Në fushë të shtunën ka treguar se është kthyer ai që të gjithë njohin: një mesfushor modern dhe shumë teknik, i aftë për të goditur portën dhe për të organizuar lojën e skuadrës. Pas ndeshjes, Alberto ka shpjeguar se çfarë ka ndier duke u përballur me ish-skuadrën e tij:
“Nuk ka qenë e lehtë për mua të luaja këtë ndeshje, por jam i kënaqur për pasimin që i kam dhënë Vinçencos në rastin e golit. Ka qenë një nga lëvizjet e mia më të mira pas një pasimi të dhënë për Totin gjatë një ndeshjeje kundër Milanit. Mund dhe duhet të fitonim për të synuar për vendet e para në renditje, por është gjithmonë një pikë kundër një skuadre të madhe si Roma. Kombëtarja? Kanë folur shumë për këtë, unë pres me qetësi zgjedhjet e Prandelit. Penalltia e Totit?
I kemi thënë arbitrit Ricoli se koha shtesë kishte përfunduar, por na ka shpjeguar se në krahasim me të kaluarën gjërat kanë ndryshuar”, ka thënë Akuilani. Populli bardhezi e adhuron që tani. Për një kohë të gjatë të shtunë në mbrëmje në “Olimpiko” të Torinos është dëgjuar kori “Akuilanin e kemi ne”.
Në pak ndeshje, pasi ka rekuperuar formën e tij më të mirë, ish-lojtari i Liverpulit ka marrë kontrollin e mesfushës së bardhezinjve duke i dhënë atë cilësi që ka qenë një nga mangësitë kryesore në sezonin e kaluar. Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, thuhet se shpreson që edhe në kombëtare gjërat të shkojnë në të njëjtën mënyrë…