Trajneri bardhezi Del Neri dhe drejtori i përgjithshëm Marota janë të zhgënjyer nga gjyqtari ndaj Romës
Juventusi është zemëruar me Ricolin, arbitrin e Juve-Roma. “Arbitri ka lënë shumë për të dëshiruar, - ka thënë drejtori i përgjithshëm e i bardhezinjve, Marota. - Meritonim të fitonim, jemi shumë të hidhëruar”. Juventinët kanë protestuar për një prekje të topit me dorë nga ana e Pepes, që është konsideruar e pavullnetshme dhe që ka shkaktuar penalltinë e 1-1-it.
“Një të dielë shikohet një faull pa penallti, të dielën pasardhëse shikohet i njëjti faull dhe ka penallti: rregullorja duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, - ka thënë trajneri i Juves Del Neri. - Edhe në episodin e largimit nga fusha të Kielinit nuk më ka pëlqyer Ricoli: na ka hequr mundësinë për të pasur në zonë një goditës të mirë me kokë. Më vjen keq edhe sepse skuadra ka luajtur shumë mirë, të gjithë kanë dhënë maksiumin:
Juventusi meritonte ta fitonte këtë ndeshje”. Në lidhje me ndeshjen në përgjithësi, Del Neri ka deklaruar se “jam i kënaqur me lojën që kanë treguar lojtarët e mi. Kanë luajtur për herë të parë Traore dhe Sorensen si mbrojtësa krahu. Kemi kërkuar fitoren deri në minutat e fundit, lojtarët kanë bërë një ndeshje të madhe kundër një Rome që është në formë shumë të mirë. Unë mendoj për skuadrën time, jo për renditjen.
Me këtë mentalitet kjo skuadër do të shkojë shumë larg. I pakënaqur për fitoren e munguar? Jo, lojtarët kanë dhënë maksimumin dhe e meritonin të fitonin, për mendimin tim skuadra është e fortë, ka karakter, beson te puna që bën dhe synojmë të jemi protagonistë në këtë kampionat. Roma e ka zotëruar për një kohë më të gjatë topin?
E vërtetë, por kemi krijuar më shumë raste se Roma. Nuk ka qenë një ndeshje boksi ku fitohet me pikë dhe ne kemi pasur 5-6 raste të pastra për gol dhe i kemi lejuar shumë pak hapësira verdhekuqve”, ka thënë Del Neri. Me të vërtetë e rrallë, edhe në kohën kur ishte te Sampdoria, të shikohej Xhiuzepe Marota kaq i zemëruar pas një ndeshjeje.
Drejtuesit bardhezi nuk i ka pëlqyer aspak vendimi i Ricolit në rastin e penalltisë që i ka dhënë Romës për prekjen e topit me dorë pas goditjes së dënimit të Totit: “Kemi merituar më shumë pikë në fushë nga sa thotë renditja”, ka thënë Marota duke shpjeguar më pas arsyet e zemërimit të tij: “Ka qenë një situatë e njëjtë me atë të Boateng në Milan-Palermo, - ka sulmuar drejtori i përgjithshëm i Juventusit. - Duhet të ketë njëtrajtshmëri në gjykim, duke parë edhe atë që ka ndodhur me Krasiç. Nuk mund të barazohen ndeshjen në këtë mënyrë.
E kam parë më shumë se dhjetë herë përsëritjen e episodit në televizor dhe duket qartë se Pepe është me shpinë, gjatë një gjuajtje shumë të fortë dhe shumë afër: ka kërcyer për t’u mbrojtur. Skuadra është kushtëzuar nga ky episod, pa penalltinë do të kishim marrë tri pikët. Më pas është goditja e Borrielos ndaj Kielinit në fundin e ndeshjes.
Pres të kërkohet prova televizive për këtë”. Në lidhje me kontaktin midis Kielinit dhe Mekses për të cilin Roma ka kërkuar penallti në pjesën e parë: “Ka dhënë penallti prekjen e topit me dorë të Pepes si kompensim? Atëherë do të ishte një gabim akoma më i madh”, ka përfunduar Marota.