Torino (Itali)- "Kush e fiton titullin kampion? Juventusi sigurisht". Parashikimi i Mishel Platini është shumë i qartë. Presidenti i Uefa beson shumë tek Juventusi i ri i Xhixhi Del Nerit dhe mendon, që mund të kthehet menjëherë të fitojë diçka të rëndësishme. "Juventusi ishte skuadra më e mirë në botë, por pas Calciopolit është e vështirë të rindërtohesh dhe mendoj se ka nevojë për pak kohë, ka shpjeguar legjenda franceze në një intervistë për "Sky Sport". Tifozët e Juventusit të sotëm bëjnë tifo për mua? Sepse nuk më kanë parë të luajë… Nuk e di se përse më duan aq shumë, por mbase kjo ndodh sepse edhe unë i dua po aq shumë ata. Është gjithmonë një nder dhe një kënaqësi e madhe do të dëgjosh komplimentat nga ana e të rinjve që kanë mësuar historinë e madhe të Juventusit, ku unë bëja pjesë, të cilën mendoj se ja kanë treguar prindërit e tyre që mund ta kenë parë atë skuadër fantastike që ka shkruar historinë".
Kriza e futbollit italian..
Mishel Platini ka analizuar edhe momentin e futbollit italian. "Në Europë nuk është më i pari, sigurisht kampionati italian. Janë disa cikle, sot është më shumë dominues futbolli anglez dhe spanjoll, kur luaja unë ishte vetëm futbolli italian, tashmë ka humbur disi. Duhet të them se ka shumë dhunë, përplasje, stadiume që në pjesën më të madhe janë të boshatisur, kampionët e mëdhenj nuk kanë më dëshirë të vijnë dhe të luajnë këtu. Lojtari dashuron spektaklin dhe festën, gëzimin, ajo që ka ndodhur për shumë vite në futbollin italian, por që në këtë moment mungon. Prandeli? Një person shumë i edukuar dhe që ka kryer një punë të madhe në Firence. Nëse nuk ke lojtarët nuk mund të fitosh. Ai do të bëj punën e tij shumë mirë në skuadrën kombëtare italiane, por nëse nuk ke Baxhio, Xhixhi Riva… Janë lojtarët ata që bëjnë diferencën". Batuta e fundit mbi fituesin e Topit të Artë. "Për mua, këtë vit e meriton plotësisht Xavi, sepse ka fituar kampionatin botëror me Spanjën dhe kampionatin spanjoll me Barcelonën. Shnajder ka kryer gjithashtu një sezon të mirë, por unë do të votoja për Xavin".
"Interi? Në këtë moment është pak poshtë"
Për titullin kampion, favoriti është Milani, por Interi duhet të fitojë Botërorin për Klube në Abu Dabi, në të kundërt do të 'zhgënjente' Mishel Platinin. "Shpresoj, që të fitojnë Kupën Interkontinentale, uroj që të mos surprizojnë për keq", është shprehur presidenti i Uefas në një intervistë për "Sky Sport". "Në derbi kam parë mirë Milanin, shpjegon Platini në intervistën e tij, është një skuadër shumë më e rinuar sesa Interi i Benitezit, që vjen pas dy sezonesh të jashtëzakonshme, por që në këtë moment është pak poshtë". Për të ardhmen, ndërkohë Platini pret rikthimin e Juventusit, të cilëve për t'u kthyer të mëdhenj dhe fitues "i duhet edhe pak më shumë kohë". Mbi skandalin e Euro 2012 numri 1 i Uefa ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij të prerë dhe direkt: "Kam kërkuar që të vendosen në dispozicion prova të vërteta". Për më tepër që Bashkimi Europian duhet të përballet me kujdes me problemin e basteve, ku "duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëzhgojmë gjithçka në imtësi". Në fund, ndërkohë është zbuluar që Platini në muajin e ardhshëm do të publikojë nga selia UEFA-s një listë të klubeve europiane 'imoralë', përsa i përket fair play dhe bilanceve, dhe ndër këto sigurisht që ka edhe skuadra italiane.