15 nëntor 2010

Pepe: "Ndërhyrja ime ishte si ajo e Boateng"

Torino (Itali)- Simone Pepe ka luajtur një ndeshje shumë të mirë kundër Romës, që është edhe skuadra ku ai është rritur, por ndërhyrja e tij me dorë në fund të pjesës së parë i ka dhënë mundësi Francesko Totit të dërgojë ndeshjen në barazim nga pika e penalltisë. Një vendim ky që nuk i ka pëlqyer mesfushorit të djathtë të kombëtares italiane: "Ndërhyrja ime ka qenë identike me atë të Boateng në ndeshjen Milan-Palermo pas gjuajtjes së Fabricio Mikolit…- është shprehur Pepe për 'Corriere dello Sport'. Kisha Felipe Melon përpara, kam parë papritur topin. Ishte një guajtje shumë e fortë dhe kam mbyllur sytë, kam mbrojtur instiktivisht fytyrën për t'u mos dëmtuar. Në atë moment, mendoja se isha jashtë zone, sepse kisha kryer dy hapa përpara: imazhet nga televizoni ndërkohë tregojnë, që nuk e kisha kaluar vizën e bardhë.

Koha ndërkohë edhe kishte mbaruar, këtë e kemi mësuar më vonë. Gjithsesi ne lojtarët mendojmë për fushën dhe kaq mjafton. Do t'i takojë drejtuesve të reagojnë në selitë përkatëse dhe jemi të sigurtë, se do ta kryejnë një gjë të tillë". Dhe jo rastësisht, Bepe Marrota ka qenë shumë i ashpër me arbitrin Ricoli. Strategjia e re e drejtuesve bardhezi është shumë agresive ndaj arbitrave dhe problemeve që kanë krijuar, kështu që sjellja e 'butë' pas Calciopolit duket se ka përfunduar njëherë e mirë: "Dhe të mendosh që ka nga ata që thonë, që jemi avantazhuar nga arbitrat … - ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Juventusit për 'Tuttosport'. Pas Calciopolit, që ka sjellë dhe dëme të mëdha për Juventusin, pasi është ndëshkuar rëndë për faje që sipas asaj që po del në procesin në Napoli kanë qenë të ndryshme, kemi vërejtur që arbitrat që drejtojnë një ndeshje ndaj skuadrës tonë kërkojnë të tregojnë sesa të zotët janë për të vepruar kundër Juventusit. Tashmë, ne nuk duam absolutisht të jemi të avantazhuar, por që të ketë respekt ndaj skuadrës tonë dhe mbi të gjitha uniformitet në gjykime ndaj çdo lloj skuadre. Ashtu siç është aplikuar për Krasiç prova televizive, tashmë pres që të veprohet në të njëjtën mënyrë edhe për Borrielon që ka stimuluar pas ndërhyrjes së Kielinit".