Rekord dëmtimesh në kampionatin italian. Infermieritë e klubeve të Serisë A këtë javë janë të mbushura plot e përplot: 77 të dëmtuar.
Pa dyshim, vendin e parë e mban Juventusi me plot 11 mungesa, mes të cilëve dy portierë dhe gjashtë mbrojtës. Në fakt, reparti i tërhequr është ai që vuan më tepër në të gjitha ekipet, pasi janë gjithsej 29 mbrojtës të dëmtuar në nëntë javën e para.
Më pas vjen mesfusha me 24 mungesa dhe sulmi me 18. Për të mos u nënvlerësuar është edhe numri i portierëve me probleme: gjashtë. Kjo do të thotë se mesatarisht, gati një në tre skuadra duhet të bëjë pa mbrojtësin ekstrem titullar. Edhe në këtë rast “Zonja e vjetër” dominon, me Bufonin dhe Maningerin të padisponueshëm.
Interesant është fakti që ka skuadra të cilave u mungon një repart i tërë. Për shembull Interi praktikisht është pa mesfushë (të dëmtuar janë Kambiaso, Stankoviç, Muntari dhe Mariga), ndërkohë që trajneri i Katanias, Xhampaolo, nuk ka në dispozicion asnjë mbrojtës (jashtë Terlici, Augustin, Spoli dhe Kapuano). E njëjta situatë edhe në sulmin e Xhenovas, ku të padisponueshëm për Gasperinin janë Rudolf, Palacio, Skuli dhe Paladino.