06 nëntor 2010

Foto-trukim, Bufoni drejt lamtumirës

Portieri nuk është paraqitur për fotografinë e skuadrës dhe është zëvendësuar nga një kontrofigurë

Xhianluixhi Bufon ka bërë një tjetër hap drejt lamtumirës nga Juventusi. Portieri bardhezi, bashkë me Amaurin, nuk është paraqitur në Vinovo për fotografinë e skuadrës, dhe është zëvendësuar nga një kontrofigurë, që do të modifikohet me Foto Shop. Eshtë një çështje që ka ngjallur shumë diskutime, sepse konfirmon qëndrimin që portieri i torinezëve ka mbajtur në muajt e fundit: lojtari, aktualisht i dëmtuar, nuk e ndjek kurrë Juventusin në stadium dhe shumë rrallë paraqitet në stërvitje për t’i dhënë zemër skuadrës, të dhëna këto që flasin për një indiferencë në rritje kundrejt “Zonjës së Vjetër”.

Ndër të tjera paraqitjet e mira të Storarit dhe Maningerit duket se po bindin Del Nerin dhe Marotën se mund të bëjnë edhe pa numrin 1 të Italisë, dhe drejtori i përgjithshëm i Juves mund të përfitojë menjëherë në merkaton e janarit për të mbushur arkat e klubit. Këto kanë qenë fjalët e Bufonit në të kaluarën në lidhje me zërat e merkatos:

“Mendoj se kur një portier si unë rikthehet të luajë dhe tregon se është në formë besoj se do ta blija gjithmonë dhe mendoj që nëse Bufon do të kthehet siç ishte nuk do ta shisja kurrë. Ajo që di unë është se kam një marrëdhënie të mirë me Juven dhe e kam deri në 2013-ën”. Prej kohësh në shënjestrën e Mançester Junajtid, në kërkim të një trashëgimtari për Van der Sarin, Xhixhi duket se po kërkon shtëpi në Angli për t’u transferuar me familjen, ndoshta që në janarin e ardhshëm.

Ndërkohë, Del Neri do të jetë i detyruar të shpikë diçka në mbrojtje. Dëmtimi i Nikola Legrotalies i ka vështirësuar akoma më shumë gjërat për Del Nerin. Dëmtimi muskulor i qendërmbrojtësit të Juves, që i bashkohet atyre të Kielinit, Grigeras dhe De Çeljes, e detyron teknikun bardhezi të improvizojë mbrojtjen në prag të ndeshjes kundër Çezenës.

Kundër skuadrës së Erjon Bogdanit do të luajnë Mota në krah të djathtë, Bonuçi në qendër me të riun danez të ekipit të të rinjve Sorensen, ndërsa në krahun e majtë do të jetë Groso, në debutimin e tij sezonal. Për më shumë, bardhezinjtë nuk do të kenë në dispozicon as Milos Krasiç, akoma i skualifikuar për simulimin në ndeshjen kundër Bolonjës.

Gjendja e serbit, që ka dalë para kohe në ndeshjen me Salzburgun, nuk e ka shqetësuar stafin mjekësor juventin. “Jam më i shqetësuar për situatën me dëmtimet se sa për Ligën Europës. Ky është një kompeticion me ndeshje direkte ku mund të ndodhë gjithçka”. Del Neri, pas barazimit me Salzburgun, nuk ka menduar për renditjen e Grupit A, që kryesohet nga Mançester Siti dhe Lek Poznan në kuotën e 7 pikëve, me bardhezinjtë në kuotën e 4 pikëve, por për rekuperimin e lojtarëve për ndeshjet e ardhshme.

Në mesfushë dhe në sulm situata nuk është shumë alarmuese, edhe falë rikthimit të Akuilanit dhe Kualjarelës. Mund të ketë ndonjë problem në lidhje me formën fizike të sulmuesve: Iakuinta është drejt rekuperimit, Del Piero nuk mund t’i përballojë dy ndeshje njëra pas tjetrës me kaq pak ditë diferencë, ndërsa Amauri është akoma larg formës së tij. “Ka vetëm nevojë për të luajtur dhe për të gjetur formën. Duhet të rekuperojë plotësisht, më pas do të vijë momenti i tij”, ka thënë Del Neri.