Presidenti i Sampdorias, Garrone, po mendon ta çojë në gjyq sulmuesin
Ditët kalojnë dhe Rikardo Garrone nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap drejt Antonio Kasanos, gjithnjë dhe më larg Sampdorias. As faljet e radhës të Antonios, nëpërmjet emisionit të njohur italian “Striscia la Notizia”, nuk i kanë ndryshuar mendim presidentit. Madje, sipas burimeve afër klubit, Garrone, nëpërmjet “Erg” (sponsori i skuadrës), duket se po vlerëson mundësinë për ta hedhur në gjyq lojtarin për dëmtim imazhi.
Një lëvizje që, nëse vihet në praktikë, do të ishte një masë ekstreme: ndoshta Garrone po e përdor si kërcënim për të bindur Kasanon dhe menaxherin e tij, që të ndjekin rrugën e prishjes së njëanshme të kontratës, një zgjidhje që, ndër të tjera, ka shkaktuar debate midis klubeve dhe LEGA-s së Serisë A. Presidenti Bereta, në fakt, ka bërë të ditur se pas nënshkrimin e kontratës kolektive, është e pamundur që kjo çështje të zgjidhet.
Sampdoria ka replikuar menjëherë duke theksuar se marrëveshja me Kasanon është nënshkruar shumë kohë para 30 qershorit të 2010-ës dhe që për këtë arsye përfshihet nga klauzola që flet për “aplikimin e plotë të kontratës kolektive të 2005-ës”.
Në gjithë këtë, lëvizjet rreth Kasanos dhe menaxherit të tij Boco janë të pakta: skuadrat italiane janë në dritare dhe nga jashtë Italisë as që e marrin mundimin të vihen në lëvizje, duke e ditur se Kasano, për shkak të gjendjes së tij familjare, nuk do të merrte në konsideratë një zgjidhje shumë larg Gjenovës. Barezi vazhdon t’i kalojë ditët në Kuinton e tij, duke pritur diçka që nuk do të ndodhë.